Mbi 45 mijë fluturime në ditë ne shtetet e bashkuara të Amerikës menaxhohen përmes një infrastrukture të vjetëruar, ku ende përdoren disketat, shiritat e letrës dhe kabllot e bakrit.
Sistemi amerikan i kontrollit të trafikut ajror vazhdon të mbështetet në teknologji te cilat datojnë që nga vitet 1970 dhe 1980. Disketat për transferimin e të dhënave, shiritat e letrës për shënimet e kontrollorëve dhe kabllot e bakrit për komunikimin mes sistemeve janë ende pjesë e infrastrukturës.
Sipas një raporti të Zyrës së Përgjegjshmërisë Qeveritare (GAO), në vitin 2024 rreth 76 për qind e sistemeve kryesore të kontrollit të trafikut ajror ishin të vjetëruara ose rrezikonin të mbeteshin pa mbështetje teknike.
Një nga problemet kryesore është përdorimi i disketave për transferimin e informacioneve mbi motin, paralajmërimet për pilotët dhe kufizimet e hapësirës ajrore nga një kompjuter në tjetrin.
Një tjetër dobësi e sistemit është infrastruktura e komunikimit me kabllo bakri, e cila po zëvendësohet gradualisht me fibra optike.
Në prill dhe maj 2025, në zonën e aeroportit të Newarkut, kontrollorët në qendrën e Filadelfias humbën përkohësisht lidhjen me radarët dhe komunikimin radio me avionët. Ndërprerjet u lidhën me probleme në infrastrukturën e komunikimit.
Sipas të dhënave të raportit, deri në nëntor 2026, rreth 1.603 linja bakri ende prisnin të zëvendësoheshin me fibra optike.
Vështirësi paraqet edhe përdorimi i shiritave të letrës, ku kontrollorët regjistrojnë të dhënat kryesore të fluturimeve, si numri i avionit, lartësia dhe aeroportet e nisjes e mbërritjes. Përpunimi manual i këtyre informacioneve rrit ngarkesën e punës dhe mund të ngadalësojë koordinimin e trafikut ajror.
Për këtë arsye, Administrata Federale e Aviacionit (FAA) ka nisur kalimin drejt sistemeve elektronike. Deri më 5 nëntor 2026, 26 kulla kontrolli kishin përfunduar kalimin në shiritat elektronikë, ndërsa programi parashikon zgjerimin e tij në 89 aeroporte të tjera.
Një tjetër mangësi është mungesa e sistemeve elektronike për gjurmimin e avionëve dhe automjeteve në pistë, veçanërisht në kushte të vështira shikueshmërie. Administrata Federale e Aviacionit ka nisur instalimin e pajisjeve të reja, të cilat deri më 5 nëntor 2026 ishin vendosur në 143 nga 220 kullat e kontrollit të përfshira në program.
Megjithatë, modernizimi paraqet edhe sfida, pasi ndërhyrjet teknike duhet të kryhen ndërkohë që sistemi vazhdon të menaxhojë fluturimet.
Këtë rrezik e evidentoi edhe një ndërprerje e fundit, për të cilën Sekretari amerikan i Transportit, Sean Duffy, deklaroi se ndodhi gjatë një operacioni rutinë për zëvendësimin e një lidhjeje me kabllo bakri me fibra optike. Gjatë punimeve, një pajisje rrjeti u mbingarkua, duke ndikuar në funksionimin e pajisjeve të tjera dhe duke ndërprerë komunikimin e kontrollorëve me avionët, si dhe transmetimin e të dhënave të radarit.


