Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka zbuluar se negociatorët amerikanë kanë propozuar mundësinë që Ukraina të tërheqë trupat e saj nga pjesët e Donbasit që ende kontrollon, në këmbim të anëtarësimit në NATO.
Sipas Zelenskyt, kjo ide është diskutuar gjatë kontakteve të fundit me përfaqësuesit amerikanë, të cilët po përpiqen të gjejnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës mes Ukrainës dhe Rusisë.
“Amerikanët ngritën një pyetje: Po sikur Ukraina të anëtarësohet në NATO? A do të tërhiqej Ukraina nga Donbasi? Kjo ishte hera e parë që shtrohej një çështje e tillë”, deklaroi Zelensky.
Megjithatë, Uashingtoni nuk i ka konfirmuar zyrtarisht këto deklarata. Një zyrtar amerikan i tha BBC-së se janë duke u diskutuar disa ide, por çdo marrëveshje përfundimtare duhet të pranohet nga të dyja palët.
Zelensky bëri të ditur se do të ishte i gatshëm ta çonte një propozim të tillë në referendum, nëse ai do të përfshinte garanci të forta sigurie, liri të plotë për Ukrainën në organizimin e ushtrisë dhe fonde për rindërtimin e vendit.
Ukraina ka kërkuar prej vitesh anëtarësimin në NATO, duke e konsideruar këtë si garancinë më të rëndësishme për sigurinë e saj. Por kjo kërkesë është kundërshtuar vazhdimisht nga Rusia, e cila e sheh praninë e aleancës pranë kufijve të saj si një kërcënim.
Rusia nisi pushtimin e Ukrainës në shkurt të vitit 2022 dhe aktualisht kontrollon pjesën më të madhe të rajonit të Donbasit, ku përfshihen Donetsku dhe Luhansku. Moska kërkon që Ukraina të heqë dorë edhe nga territoret që ende nuk janë pushtuar nga ushtria ruse, si dhe nga Krimea, të cilën Rusia e aneksoi në vitin 2014.
Nga ana tjetër, Kievi ka kundërshtuar vazhdimisht çdo marrëveshje që përfshin dorëzimin e territoreve ukrainase. Autoritetet ukrainase druhen se lëshime të tilla do ta linin vendin më të pambrojtur ndaj një sulmi tjetër në të ardhmen.
Deklaratat e Zelenskyt vijnë pas takimeve të të dërguarve amerikanë Jared Kushner dhe Steve Witkoff me presidentin rus Vladimir Putin në Moskë dhe më pas me presidentin ukrainas në Dublin të Irlandës.
Ndërkohë, negociatat mes palëve mbeten të vështira. Rusia vazhdon të kërkojë kufizime për ushtrinë ukrainase, neutralitetin e vendit dhe lëshime territoriale, kushte që Ukraina i ka refuzuar.
Pas deklaratave të Zelenskyt, Jared Kushner bëri thirrje që diskutimet të mbeten konfidenciale, duke theksuar se gjatë negociatave janë shqyrtuar propozime të ndryshme dhe ide të reja për t’i dhënë fund luftës.
Aktualisht, Moska kontrollon rreth një të pestën e territorit ukrainas dhe nuk ka dhënë sinjale se është e gatshme të heqë dorë nga kërkesat e saj kryesore.
Ndërkohë, marrëdhëniet mes Kievit dhe Uashingtonit kanë kaluar edhe nëpër momente tensionesh, veçanërisht pas sulmeve ukrainase ndaj objekteve të naftës në territorin rus. Presidenti amerikan Donald Trump kishte kërkuar që Ukraina t’i ndalte këto sulme.
Trump ka kritikuar gjithashtu Zelenskyn, duke deklaruar se Ukraina duhet të ketë një president të ri dhe duke kërkuar zhvillimin e zgjedhjeve. Megjithatë, zgjedhjet në Ukrainë janë pezulluar për shkak të gjendjes së luftës.
Zelensky ka deklaruar më herët se është i gatshëm të organizojë zgjedhje disa muaj pas arritjes së një marrëveshjeje paqeje, madje ka lënë të hapur edhe mundësinë e largimit nga presidenca në këmbim të anëtarësimit të Ukrainës në NATO.


