Mes livadheve të Shafranit, pishave dhe hapësirave të gjelbra, Nazmije Metaliaj ka kaluar një pjesë të madhe të jetës. Puna nis herët dhe mbaron vonë. Por, për Nazmijen, lodhja është vetëm njëra anë e kësaj jete; tjetra është kënaqësia që i falin puna dhe natyra.
Bulmeti është një nga produktet kryesore të stanit. Nazmija e përpunon dhe e stazhionon, që ta ruajë për muajt e dimrit. Edhe pse produktet e bulmetit kanë përmbajtje të lartë yndyre, ajo thotë se cilësia dhe mënyra e prodhimit në bjeshkë i bëjnë të veçanta. Për tryezën e familjes nuk mungojnë as prodhimet e kopshtit.
Kjo nuk është një zgjedhje e viteve të fundit. Prej 25 vitesh, Nazmija veron në këto stane, ndërsa më herët familja e saj i kishte kullotat në bjeshkët e Malit të Zi. Mes gjithë punëve të ditës, ajo gjen kohë edhe për lulet, të cilat i ruan me të njëjtin përkushtim si gjithçka tjetër që ka ndërtuar në bjeshkë.
Për të, qëndrimi në mal nuk është vetëm punë, por edhe një mënyrë jetese që e mban aktive. Kjo lidhje me bjeshkët nuk mbaron te Nazmija. Edhe i biri, Floarti, e ka kaluar fëmijërinë duke veruar në bjeshkë dhe sot vijon të ruajë traditën familjare, duke e kthyer atë edhe në një mundësi për zhvillimin e turizmit.
Përveç stanit dhe blegtorisë, familja ka ngritur edhe një bujtinë, ku qëndron nga prilli deri pranë Krishtlindjeve. Verimi në bjeshkë është një traditë që familja e ka ruajtur ndër breza. Por vitet e fundit, këto anë po tërheqin edhe më shumë vizitorë të huaj, të cilët kërkojnë natyrën, qetësinë dhe ushqimin tradicional.
Për turistët, përvoja nuk kufizohet vetëm te pamjet e malit. Një pjesë e rëndësishme e saj është edhe ushqimi, i përgatitur me prodhimet e zonës. Qëndrimin e vizitorëve pritet ta lehtësojë edhe përmirësimi i infrastrukturës. Pranë stanit është siguruar uji i pijshëm, ndërsa një nga ndryshimet më të rëndësishme pritet të jetë lidhja me rrugë automobilistike.
Rruga që po ndërtohet nis nga kryqëzimi i Dragobisë dhe vijon drejt Brodozhnicës. Për banorët, bëhet fjalë për një investim të kërkuar prej kohësh, që pritet të lehtësojë lëvizjen dhe të krijojë më shumë mundësi për zonën.
Përtej nevojave të përditshme të banorëve, ky aks shihet edhe si një mundësi për të afruar vizitorët me një zonë që ende nuk e ka shfrytëzuar plotësisht potencialin e saj turistik. Me rrugë më të aksesueshme dhe me bujtina që mirëpresin vizitorë, kjo zonë e Alpeve shqiptare synon ta kthejë pasurinë e saj natyrore në një mundësi të qëndrueshme zhvillimi.


