I dërguari i posaçëm amerikan, Steve Witkoff, ka deklaruar se presidenti rus Vladimir Putin ka rënë dakord që përfaqësuesit evropianë të marrin pjesë në raundin e ardhshëm të negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Deklarata vjen pas takimit të Witkoff dhe Jared Kushner me liderin rus në Kremlin, ku në fokus ishte ecuria e përpjekjeve diplomatike për arritjen e një marrëveshjeje paqeje.
“Evropianët do të bashkohen në takimin e radhës. E konsiderojmë këtë një moment shumë të rëndësishëm, pasi ata janë partnerët tanë dhe është thelbësore që të jenë të pranishëm”, deklaroi Witkoff për televizionin shtetëror rus.
Nga ana e tij, Kushner tha se kishte vërejtur një ndryshim të rëndësishëm në qëndrimin e palës evropiane, duke shprehur besimin se përfshirja e saj nuk do të pengojë përparimin e negociatave.
Putin deklaroi se Moska nuk ka qenë kundër dialogut me Evropën, duke pretenduar se ishin vendet evropiane ato që e ndërprenë komunikimin me Rusinë.
Megjithatë, presidenti rus paralajmëroi se vendosja e trupave evropiane në Ukrainë pas një marrëveshjeje paqeje do të konsiderohej nga Moska si kërcënim për sigurinë e saj dhe mund të çonte në rifillimin e menjëhershëm të luftimeve.
Për momentin, mbetet e paqartë se cilat vende apo përfaqësues do të marrin pjesë në raundin e ardhshëm të bisedimeve. Gjithashtu, nuk janë bërë ende të ditura data dhe vendi ku do të zhvillohen negociatat.
Sipas raportimeve, Shtetet e Bashkuara dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kërkojnë që Evropa të përcaktojë një përfaqësues të vetëm për të negociuar me Moskën.
Pas takimit në Kremlin, Witkoff dhe Kushner pritet të udhëtojnë drejt Dublinit, ku do të informojnë presidentin ukrainas mbi bisedimet dhe qëndrimet e paraqitura nga pala ruse.


