Zgjedhjet presidenciale në Francë, që pritet të mbahen në prill të vitit 2027, po shoqërohen me zhvillime të reja në skenën politike, ndërsa një sondazh i porositur nga POLITICO nxjerr në krye të garës Marine Le Pen dhe Jean-Luc Mélenchon.
Sipas sondazhit të realizuar nga instituti Cluster17, kandidatja e Tubimit Kombëtar, Marine Le Pen, renditet e para me 30.5% të mbështetjes, ndërsa kandidati i së majtës, Jean-Luc Mélenchon, vjen i dyti me rreth 20%.
Një nga elementet më të veçanta të sondazhit është përfshirja e Christine Lagarde mes kandidatëve të mundshëm, ndonëse ajo nuk ka shpallur zyrtarisht kandidaturën për presidencën franceze. Lagarde rezulton me 14% të mbështetjes, duke u renditur përpara disa emrave të tjerë të politikës franceze në skenarin e testuar.
Pas saj renditen Raphaël Glucksmann dhe David Lisnard, me rreth 10-11% të mbështetjes, ndërsa Bruno Retailleau rezulton me 5.5%.
Sondazhi vjen në një kohë kur partitë politike franceze kanë nisur të pozicionohen për zgjedhjet presidenciale të vitit 2027. Megjithatë, gara mbetet e hapur dhe një pjesë e emrave të përfshirë në matje nuk e kanë konfirmuar ende pjesëmarrjen në zgjedhje.


