Presidenti Trump humbi në zgjedhjet e mesmandatit, fituan demokratët në SHBA, por sa ndikon kjo te situata politike në Shqipëri?
Në kuadër të Samitit Politik Europian në Irlandë, kryeministri Rama mori pjesë në një bashkëbisedim me Institutin Ndërkombëtar dhe Europian, nga ku sqaroi se nuk është aspak i shqetësuar se çfarë ndodh në Uashington.
“Kur u zgjodh Trump, mu tha që jam në rrezik se jam mik me George Soros dhe të birin, unë nuk diskutoj miqësinë dhe besnikërinë.
Por nuk thotë askush një të vërtetë tjetër, kur kam takuar Kushner, dhe bëmë bisedën e parë për projektin, e ardhmja e Trump nuk dihej. Ishte kandidat më shumë për në burg. Unë pashë një amerikan që donte të bënte diçka në vendin tim. Shqipëria është shumë mikpritëse ndaj qoftë të birit të George Soros apo dhëndrit të Donald Trump. Unë e urrej madje këtë mentalitet, se kam jetuar në komunizëm, të qenit i biri apo dhëndri i dikujt, mund të të ngrinte shumë lart, mund të të çonte dhe në burg. As nuk dua t’ia di çfarë ndodh në SHBA”, tha Rama.
Rama bëri të qartë se humbja e Trump nuk ka për të ndikuar aspak te projekti i dhëndrit të tij, Jared Kushner, në Zvërnec dhe Sazan.
“Kur bëhet fjalë për këtë projekt, s’ka asgjë për të fshehur apo për të pasur frikë, vetëm për të qenë krenar, për t’u përpjekur e për të bërë një destinacion që do të tregojë se zhvillimi dhe mbrojtja e natyrës nuk janë kundërshtuese, por plotësuese të njëra-tjetrës. Gjithë bota mund të hidhet përpjetë e të thotë të kundërtën, por ne kemi sot një faqe pasqyra e flamingove, aty ka fakte, aty shihni si Kushner nuk ka marrë asnjë trajtim ndryshe nga investitorë lokalë e ndërkombëtarë. S’ka as projekt as marrëveshje, jemi ende duke negociuar.
Pala jonë mendon se shqiptarët duhet të jenë pjesë e kësaj. Qeveria shqiptare ka qenë shumë rigoroze, për një projekt, simbol, emblemë në Europë, jo një spekulim, që do të lidhë imagjinatën kolektive me një zhvillim të pamendueshëm amerikan”, shtoi ai.
Rama e pranon se ishte ky projekt që ndezi protestat e flamingove në bulevardin e Tiranës. Ai tha se Shqipëria në këtë rast u përdor politikisht nga kundërshtarë deri te armiq të Trump.
“Le të jemi të sinqertë, ky revolucion i flamingove, që emrin e ka tërheqës, ishte rezultat i një urrejtjeje kundër Donald Trump. Nëse hija e Trump s’do të ishte në sfond të çështjes mjedisore, që nuk është as çështje, nuk do të dëgjonit as për flamingot. Gjithë kundërshtarët e Trump u mblodhën në bulevardin tonë kundër tij. S’kam thënë që protestuesit janë organizuar nga Irani, por Irani ka duart e veta në ndezjen e protestave, nëpërmjet medias sociale.
Ka shumë duar të tjera që kanë hyrë dhe pas fillim qershorit, protesta nuk është më siç ishte, s’ka më revolucion e flamingo, tani ka ca zogj, opozita politike, disa të majta e të djathta ekstreme dhe pastaj dhunë, dhunë që është e papranueshme”, shtoi kreu i qeverisë.
Sa për rrugëtimin europian të Shqipërisë, Rama deklaroi nga Irlanda se dera e Brukselit është hapur dhe Tirana duhet të nxitojë ta shfrytëzojë me anëtarësim në BE.
“Po, jemi në moment përcaktues të historisë sonë, shohim jo vetëm horizontin që nuk ka qenë kështu gjithmonë, por dhe një derë të hapur, si mundësi të vërtetë për t’u bërë pjesë e familjes europiane”, përfundoi Rama.


