Të shtunën revolucion, të hënën evolucion. Brenda dy ditësh, PD la gurët dhe rrugët dhe u kthye në parlament me normalitet. Deputetët demokratë, më saktë ata pak që kanë mbetur pa u përjashtuar, u rikthyen në të gjitha komisionet kuvendore.
Sinjalet u dhanë në protestën e fundit, më pak njerëz, më pak dhunë, më pak spektakël. Të vetmin komision që demokratët refuzuan ishte ai për reformën territoriale. Por kjo ishte e vetmja mungesë me arsye, pasi socialistët nuk morën parasysh kërkesat e tyre për t’i shtuar qoftë edhe një bashki.
Por ama me vrap shkuan tek komisioni i Reformës Zgjedhore, i cili momentalisht duhet të adresojë me urgjencë formulën e re të këshillave bashkiakë pas hartës së re territoriale me 46 bashki. Por ulja në tavolinën e vjetër të pazareve të Oerd Bylykbashit me bashkëpunëtorin e tij që nga viti 2008, Damian Gjiknuri, meritoi vëmendje të posaçme nga vetë Sali Berisha. Sipas tij, Oerdi u ul me vrap me Damianin për të mbrojtur demokracinë në rrezik.
“E vërteta është se Damian Gjiknuri, në kundërshtim me ligjin, vendimin e parlamentit për komisionin e reformës zgjedhore, për ta hedhur në erë këtë komision, ka përcaktuar në mënyrë të njëanshme axhendën, çka nuk ka ndodhur kurrë”, u shpreh Berisha.
Në fakt, bojkoti i komisioneve nga demokratët nuk rrezikon demokracinë. Gjiknuri para Bylykbashit bëri të qartë se PS i ka dhe vetë votat për reformën.
“Deri në dhjetor duhet formula e re, ndryshe s’mund të rrezikojmë zgjedhjet. Ne i kemi votat gjithsesi”, tha Gjiknuri.
Por doktori e ka mendjen diku tjetër. Protestat e shumëfishta nuk i pëlqejnë, por edhe ajo e vetja e dy javëve të fundit u duk e pamjaftueshme. Bile të shtunën, u shfaq edhe e dëmshme. Shehaj, Lapajt dhe Qori mund t’i prishin shumë punë me votat e tyre, sidomos në Tiranë. Ndaj thyerjen e bojkotit kuvendor e mbuloi me një ftesë të pasinqertë. Pasi njerëzit e tij rrahën opozitarët e tjerë të shtunën, Berisha i ftoi pas drurit të bashkohen rreth tij. Duke mbështetur të vetmen kërkesë që ata kanë: listat e hapura.
“Përfaqësuesit tanë kanë studiuar propozimet e forcave politike opozitare dhe konstatojnë se të gjitha ato bashkohen në një pikë, lista plotësisht të hapura. Dhe ne, në mënyrë kategorike, nuk pranojmë asnjë lloj liste tjetër përveçse listë të hapur për këshilltarët”, tha ai.
Gjiknuri iu përgjigj nga komisioni. Socialistët nuk i kanë frikë listat e hapura. As më 9 maj dhe as në 2029.
Pra, socialistët, në shkëmbim të hallit të vogël të doktorit, i ofruan atij një pazar edhe më të madh: reformë kushtetuese, duke filluar nga numri i deputetëve në Kuvend. Rama ka propozuar parlament më të vogël, me 101 përfaqësues. Një gjë që edhe doktori e ka pranuar që para një viti.
“Po, jam gati, nuk kemi asnjë kompleks aty, sepse besojmë se është një institucion i dobishëm dhe jo duke rënduar buxhetin e taksapaguesve, por duke zvogëluar numrin e deputetëve”, tha ai.
Pra, PD kthehet në Kuvend, ndërsa PS i ofron asaj vendin e nderit të humbjes, ose më saktë vendin e dytë. Halli i doktorit janë partitë e tjera opozitare, të cilat e godasin tek pika e tij më e fortë, vota. Kuvendi i 11 majit provoi frikën më të madhe të partive tradicionale. Në Kuvend hynë tre parti të reja. Por me një parlament më të vogël dhe me sjelljen e dhunshme të stilit të vjetër, Shehaj, Qori dhe Lapaj do ta kenë të vështirë të hyjnë sërish në tempullin e demokracisë.
Ndaj dhe rikthimi i PD-së në Kuvend është hipokrizia më e fundit e partive të mëdha. Nën maskën e shqetësimit për zgjedhjet lokale qëndron viti 2029. Pas vdekjes së flamingove dhe përzënies së të vegjëlve nga Bulevardi, ata duhet t’i rrinë larg edhe Kuvendit. Socialistët janë dakord. Fitoret e tyre duhet t’i ndajnë pak edhe me aleatin e tyre më të madh: Sali Berishën.


