Në pllajën e Novosejës, në zonën e Shishtavecit, vjeshta matet me prodhimin që nxjerr toka. Fermerët janë në kulmin e vjeljes së patates, një prej produkteve që i ka dhënë emër kësaj zone malore të Kukësit.
Mes arave është edhe Imer Noka. Këtë vit ka mbjellë rreth një hektar tokë dhe pret të marrë afro 40 tonë patate. Një prodhim që kërkon muaj pune, por që në fund duhet të përkthehet në të ardhura për familjen.
Pritshmëritë janë të mira, por jo në nivelin e vitit të kaluar.
Patatja e Shishtavecit kultivohet në lartësi, në kushte klimatike që i japin veçoritë e saj, ndërsa fara e përshtatur për këtë terren është një nga elementet e rëndësishme të prodhimit.
Për Imerin, kjo punë nuk është e re. Ai është marrë me pataten prej dekadash, që kur ishte nxënës i shkollës fillore dhe punonte në arat e ish-kooperativës.
Megjithatë, për një fermer, prodhimi i mirë nuk mjafton nëse nuk sigurohet edhe tregu. Vitin e kaluar, Imeri arriti të prodhonte rreth 50 tonë dhe e shiti të gjithë sasinë.
Por bujqësia nuk është një burim i sigurt jetese për çdo familje. Kostot e kultivimit janë të larta dhe, sipas Imerit, vetëm me pataten është e vështirë të sigurohen të ardhura të mjaftueshme.
Pavarësisht vështirësive, Imeri nuk e ka menduar largimin. Përkundrazi, bashkë me disa familje të tjera të zonës, është angazhuar në krijimin e një shoqate fermerësh.
Përmes kësaj nisme, fermerët kanë përfituar makineri për shkuljen e patates dhe synojnë të ecin më tej, drejt markimit të produktit.
Megjithatë, toka e kësaj zone nuk ofron vetëm patate. Bimët medicinale dhe frutat e pyllit janë një tjetër burim të ardhurash, ndërsa pllaja e rrethuar me mështekna dhe pyje pishe tërheq edhe vizitorë që kërkojnë natyrën e paprekur.
Novoseja është pjesë e zonës së njohur si porta e Shtegut të Ngjyrave. Përmirësimi i infrastrukturës dhe rruga drejt Liqenit të Kallabakut kanë lehtësuar mbërritjen e vizitorëve, duke krijuar mundësi që bujqësia të mos jetë e vetmja veprimtari ekonomike./abcnews.al


