Papa Leoni i 14 ka nisur udhëtimin e tij 12-ditor në Amerikën Latine, vetëm tre javë pas operacionit për heqjen e një tumori kanceroz në mushkërinë e djathtë. Vizita përfshin Uruguain, Argjentinën dhe Perunë, ku Ati i Shenjtë pritet të përjetojë një rikthim emocional në vendin ku shërbeu për afro 20 vjet.
Vatikani ka siguruar se Papa është në gjendje të mirë shëndetësore dhe se nuk janë parashikuar masa të jashtëzakonshme gjatë udhëtimit. Mjekët konfirmuan se tumori ishte hequr plotësisht dhe se kanceri nuk ishte përhapur në pjesë të tjera të trupit.
Sipas zëdhënësve të Vatikanit, Papa Leoni I 14 ka treguar qëndrueshmëri të jashtëzakonshme dhe ka konfirmuar personalisht të gjithë programin e vizitës, pa ndryshime. Në Argjentinë, vendlindjen e Papa Françeskut, vizita e Leos shihet edhe si një homazh për paraardhësin e tij, i cili nuk arriti të vizitonte vendin si Papë. Ai pritet të takohet me presidentin Javier Milei, me të cilin Kisha Katolike ka pasur mospajtime për politikat ekonomike dhe shkurtimet e shpenzimeve sociale.
Pjesa më emocionuese e udhëtimit pritet të jetë vizita në Peru. Papa Leo, i lindur në SHBA me emrin Robert Prevost, kaloi afro dy dekada në këtë vend dhe ka edhe shtetësi peruane.
Ai do të rikthehet në dioqezën e Çiklajos, ku shërbeu si peshkop nga viti 2014, ndërsa do të vizitojë edhe Kuskos dhe rajonin e Amazonës. Gjatë vizitave në të tre vendet, Papa do të takohet gjithashtu me persona që kanë mbijetuar nga abuzimet seksuale të kryera nga pjesëtarë të klerit.
Udhëtimi konsiderohet një moment i rëndësishëm për forcimin e lidhjeve të Vatikanit me Amerikën Latine, por edhe një provë për gjendjen fizike të Atit të Shenjtë pas ndërhyrjes kirurgjikale, e cila konsiderohet një sfidë e rëndë shëndetësore.


