Një ngjarje e rëndë është regjistruar në orët e para të mëngjesit të 6 nëntorit në Francën lindore, ku një autobus që transportonte nxënës ka dalë nga rruga dhe është përplasur fuqishëm me një pemë. Aksidenti ka shkaktuar disa viktima, ndërsa ende nuk ka një bilanc përfundimtar të të dëmtuarve.
Ngjarja ka ndodhur në qytetin Lent, në verilindje të Lionit dhe rreth 55 kilometra nga kufiri me Zvicrën. Sipas të dhënave të bëra publike nga kryebashkiaku Yves Cristin, autobusi ka humbur kontrollin, ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në një kanal anësor, ku është përplasur me një pemë.
Pas aksidentit, në vendngjarje janë mobilizuar forcat e emergjencës, të cilat po punojnë për t’u ardhur në ndihmë personave të prekur. Ministria franceze e Arsimit dhe prefektura e Ain kanë konfirmuar se ka disa viktima, ndërsa rrethanat që çuan në këtë aksident mbeten ende të paqarta.
Ministri francez i Arsimit, Edouard Geffray, ka shprehur tronditjen për ngjarjen, duke theksuar se situata është veçanërisht e dhimbshme për shkak se në autobus udhëtonin fëmijë. Nga ana tjetër, ministri i Transportit, Philippe Tabarot, ka bërë të ditur se është nisur drejt vendit të aksidentit për të ndjekur nga afër zhvillimet
Për transportimin e të plagosurve në gjendje më të rëndë është vënë në dispozicion edhe një helikopter, i cili pritet t’i dërgojë ata në një spital të specializuar.
Aksidenti raportohet të ketë ndodhur rreth orës 07:00 të mëngjesit, ndërsa operacionet e shpëtimit vijojnë. Autoritetet franceze ende nuk kanë publikuar të dhënat përfundimtare mbi numrin e viktimave dhe personave të plagosur.


