Pas Serie A, Juventus gjen vazhdimësinë edhe në Europa League, duke kaluar me sukeses një transfertë të vështirë si ajo kundër AZ Alkmaar. “Zonja e Vjetër” fitoi me rezultatin 2-1 për të hedhur një hap tjetër të sigurtë drejt kualifikimit në raundin tjetër të turneut.
Kopmeiners në minutën e 19-të I dha epërsinë juventinëve me një goditje të kalibruar në hyrje të zonës.
Nga këtu, gjithçka u bë në zbritje për skuadrën e drejtuar nga Luçiano Spaleti, që përpara pushimit dyfishoi diferencën.
Kolo Muani shënoi golin e qetësisë në minutën e 37-të, duke vendosur edhe fatin e pjesës së parë.
Në të dytën, Juventus mendoi më shumë për të mbrojtur rezultatin, ndërsa pavarësisht përpjekjeve, AZ Alkmaar vetëm sa zbuti humbjen me Meerdink dy minuta nga fundi i kohës së rregullt.
Me këtë fitore, “Zonja e Vjetër” ngjitet në kuotën e 10 pikëve në vendin e pestë dhe ka në dorë biletën e saj direkte për në fazën tjetër.
Krejt i ndryshëm është diskutimi për Milan, që vazhdon me paraqitjet katastrofë në Europa League.
Skuadra kuqezi jetoi një dështim të vërtetë në “San Siro”, duke u mudnur 2-0 nga Ferencvaros.
Pas pjesës së parë pa gola, hungarezët kaluan në epërsi në minutën e 52-të me Joseph. Por më shumë se sulmuesi mik, meritë kishte portieri vendas Torriani me gafën e tij.
Milan provoi të ndryshonte fatin e sfidës, por në të 66-ën do të merrte goditjen e KO, pas golit të dytë të Ferencvaros, me autor të njëjtë Joseph.
Kuqezinjtë luajtën për më shumë se 15 minuta me një lojtar më shumë falë kartonit të kuq të Dele, por nuk arritën të gjenin as golin e nderit.
Kjo humbje ishte e treta në katër ndeshje për Milan në Europa League, që me vetëm tre pikë rrezikon seriozisht eliminimin direkt./abcnews.al


