Harry Kane dhe Bayern Munich kanë zgjatur “martesën” mes tyre.
Sulmuesi anglez dhe klubi bavarez e kishin arritur javë më parë marrëveshjen, ndërsa e zyrtarizuan atë me kontratën e re deri në 30 qershor të vitit 2029.
Fituesi i “Topit të Artë” e shoqëron këtë rinovim me një rekord të ardhurash. Ai do të arkëtojë 25 milion euro në sezon, duke u kthyer në lojtarin më të paguar në Europë.
“Jam shumë krenar që kam nënshkruar zgjatjen e kontratës me këtë klub të jashtëzakonshëm. Nuk mund të jem më i lumtur këtu dhe jam më i motivuar se kurrë për të vazhduar thyerjen e rekordeve dhe fitimin e trofeve me këtë skuadër”, ka thënë Harry Kane pas hedhjes së firmave.
Kapiteni i kombëtares së Anglisë u transferua te Bayern Munich në verën e vitit 2023 nga Tottenham për 95 milion euro.
Që atëherë, Kane ka shënuar statistika të frikshme me bavarezët, pasi në 154 ndeshje ka shënuar 153 gola dhe ka asistuar 38 herë për shokët e skuadrës. Me bavarezët, ai ka fituar dy tituj në Bundesligë, një Kupë dhe dy Superkupa të Gjermanisë, ndërsa synon të fitojë për herë të parë edhe Champions League.
Në “Allianz Arena” mund të marrin frymë lirisht. Edhe tifozët e Bayern Munich mund të jenë të qetë, pasi Harry Kane do të qëndrojë dhe shënojë për skuadrën bavareze edhe për disa vite të tjerë.


