TIRANË- Komisioni Evropian prezantoi sot progres-raportin për Shqipëria dhe vendet e tjera kandidate për në Bashkimin Evropian.
Komisionerja për Zgjerimin, Marta Kos, ndër të tjera u shpreh se objektivi i Shqipërisë për mbylljen e kapitujve negociues brenda 2027, është një realitet i prekshëm, ndërsa inkurajoi Tiranën zyrtare, që të vijojë me thellimin e reformave.
Eksperti për marrëdhëniet ndërkombëtare, Ledion Krisafi, i ftuar në “Tirana Live” tha e për shkak të rrethanave gjeopolitike ku ndodhet Evropa, procesi i integrimit ka hyrë në një fazë përshpejtimi.
Ai theksoi se të dyja palët duhet t’i bëjnë detyrat e shtëpisë. Sipas tij, fakti që ka një datë konkrete për përmbylljen e negociatave brenda 2027, kjo do të thotë se Bashkimi Evropian tashmë “defacto” e ka marrë vendimin politik për Shqipërinë dhe Malin e Zi.
“Ka një përshpejtim të procesit për rrethanat gjeopolitike që po ndodhin në Evropë. Një sy mund të mbyllet, por të dy sytë nuk mund të mbyllen nga BE. Të dyja palët duhet të bëjnë pjesën e tyre në këtë proces. Hyrja bë BE është një vendim politik në fund të fundit.
BE vendimin politik, pra “Defacto” e ka marrë tashmë për Malin e Zi dhe Shqipërinë. Fakti që ka një afat, që është kaq i afër, do të thotë se një vendim politik “Defacto” është marrë tashmë. Nëse nuk do ishte marrë Një vendim politik, nuk do kishim afate”, tha ai.
Gjatë diskutimit, Krisafi tha se i vetmi zhvillim negativ që mund të ndikojë jo mirë në procesin e integrimit është rezultati i zgjedhjeve në Francë dhe rreziku i fitores së mundshme të së djathtës ekstreme, e cila udhëhiqet dhe përfaqësohet nga Marine Le Pen.
“E vetmja gjë që mund të ndikojë negativisht është se si do shkojnë zgjedhjet në Francë”, tha ai./abcnews.al


