Ministri i Jashtëm i Egjiptit, Badr Abdelati, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij iranian, Abbas Araghchi, ku në fokus ishte situata e tensionuar në Lindjen e Mesme.
Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Jashtme egjiptiane, e cila përmes një deklarate theksoi se gjatë bisedës u nënvizua nevoja që të gjitha palët të tregojnë përmbajtje dhe të kërkojnë një zgjidhje politike për krizën.
Kajro bëri thirrje për shmangien e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit dhe parandalimin e zgjerimit të tij në rajon.
Ndërkohë, më herët gjatë ditës, zëvendësministri i Jashtëm iranian, Kazem Garibabadi, deklaroi se Teherani rezervon të drejtën për t’u vetëmbrojtur pas sulmeve ajrore amerikane të një nate më parë në ishullin Qeshm.
Deklaratat vijnë në një moment tensionesh të shtuara në Lindjen e Mesme, ndërsa shtohen thirrjet diplomatike për frenimin e përshkallëzimit dhe zgjidhjen e krizës përmes dialogut.


