Kryeministri Edi Rama në EuroNews Enlargement Summit në intervistë me Maria Tadeo mbi rrugëtimin drejt Bashkimit Europian dhe sfidat e së ardhmes. Kryeministri Rama u shpreh se nuk ka asgjë më të mirë se Bashkimi Europian.
Sa i takon Serbisë dhe formacionit të ri qeveritar të dalë nga zgjedhjet e fundit, Rama tha se Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor, por qasja e Serbisë nuk ka ndryshuar në shumë aspekte përfshirë edhe Kosovën.
“Po ndodhin gjëra dhe ka shumë çështje komplekse, por në fund të fundit nuk ka asgjë më të mirë se Bashkimi Europian. Po përpiqem të marr prej jush atë që dini lidhur me situatën në Serbi. Fituesit në Beograd nuk tregojnë hapje për çështjen më të ndjeshme për shqiptarët, që është çështja e njohjes së Kosovës. Ata janë të mbyllur, kështu që kjo nënkupton se muzika në Beograd nuk ndryshon.
Mua më japin leksione, duke qenë se jemi pjesë e një rajoni që ende nuk është plotësisht pjesë e BE-së, kështu që ne dëgjojmë, nuk japim leksione. Po, Serbia është një pjesë e rëndësishme e mozaikut të Ballkanit Perëndimor, por kam qenë avokat i faktit që nuk duhet ta lëmë Serbinë të shkojë në drejtimin e gabuar dhe të braktisë projektin europian, sepse do të dëmtonte rajonin tonë.
Nëse do të hysh në BE, të duhet të realizosh gjëra në shumë aspekte. Në aspekte të caktuara, Serbia ka dëshmuar një hezitim dhe qëndrim që ka karshi Rusisë dhe sanksioneve.
Po, na duhet Serbia të jetë me ne, të jetë pjesë e një fqinjësie që duhet të jetë pjesë e plotë e Bashkimit Europian dhe Serbia duhet të tregojë rezultate dhe ta meritojë këtë përkatësi.”


