Policia e Tiranës ka vendosur gjoba ndaj 16 protestuesve që bllokuan qarkullimin e automjeteve gjatë tubimit të zhvilluar një ditë më parë para Kryeministrisë. Ndërkohë, dy të mitur janë proceduar penalisht, pasi dyshohet se kanë kryer veprime të kundërligjshme gjatë protestës.
Sipas njoftimit zyrtar të Policisë, masat administrative janë vendosur në zbatim të Aktit Normativ nr. 5, datë 28.10.2026, pasi protestuesit bllokuan rrugën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, duke penguar qarkullimin e automjeteve.
Policia bën me dije se, pavarësisht thirrjeve të përsëritura përmes megafonit për lirimin e rrugës, protestuesit nuk iu bindën kërkesave të uniformave blu.
Nga 16 masat administrative të vendosura, 14 janë dhënë ndaj personave të shoqëruar në polici, ndërsa dy të tjera janë vendosur pas identifikimit të protestuesve përmes pamjeve filmike. Për secilin prej tyre është caktuar një gjobë prej 5 mijë lekësh.
Gjithashtu, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 2 kanë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi penal për dy shtetas të mitur. Ata dyshohen se më 2 nëntor 2026, gjatë protestës së organizuar nga studentët në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, kanë kryer veprime të kundërligjshme në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe të maskuar.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.


