Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i ka dërguar një mesazh të drejtpërdrejtë Shteteve të Bashkuara, duke kërkuar rritjen e presionit ndaj Rusisë për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Në një videomesazh, një ditë para zgjedhjeve të mesit të mandatit në SHBA, Zelensky deklaroi se Uashingtoni ka fuqinë të ushtrojë presion vendimtar mbi Moskën, në mënyrë që kjo e fundit të detyrohet të ndalë agresionin.
Kreu i shtetit ukrainas u bëri thirrje amerikanëve dhe komunitetit ndërkombëtar të mos bëjnë kompromis me të ardhurat e Rusisë nga nafta dhe gazi, duke argumentuar se këto burime financiare i mundësojnë Moskës të vazhdojë luftën.
“Duhet të ushtrojmë një presion të tillë mbi Rusinë saqë ajo të mos ketë zgjidhje tjetër veçse t’i japë fund kësaj lufte. Amerika mund ta arrijë këtë”, deklaroi Zelensky.
Presidenti ukrainas paralajmëroi gjithashtu për një sulm të ri masiv rus, i cili sipas informacioneve që disponon Kievi, mund të ketë si objektiva kryesore infrastrukturën energjetike dhe rrjetet e furnizimit me energji elektrike.
Sipas Zelensky-t, ekziston rreziku që Rusia të shfrytëzojë vëmendjen ndërkombëtare të përqendruar te zgjedhjet në SHBA për të intensifikuar sulmet ndaj Ukrainës.
Ai ngriti shqetësimin edhe për vështirësitë që po has vendi në mbrojtjen ajrore, veçanërisht për shkak të mungesës së sistemeve raketore Patriot.
“Vlerësimi është se nesër opinioni publik botëror do të përqendrohet në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA, si rezultat i të cilave ajo që po ndodh këtu në Ukrainë, si dhe vështirësitë që hasim me mbrojtjen ajrore dhe raketat Patriot, do të kalojnë në plan të dytë”, u shpreh presidenti ukrainas.
Në mesazhin e tij, Zelensky kërkoi një qëndrim më të vendosur ndërkombëtar ndaj Kremlinit, duke theksuar se të ardhurat nga eksportet energjetike nuk duhet të vazhdojnë të financojnë luftën.
Ai e konsideroi mbështetjen amerikane si vendimtare për të ushtruar presion ndaj Rusisë dhe për të krijuar kushtet për përfundimin e konfliktit.


