Kryeministri Edi Rama ka bërë të ditur përmes një videoje të publikuar në rrjetet sociale zhvillimin e punimeve për ndërtimin e një mini-stadiumi modern në Katundin e Ri.
Projekti parashikon një fushë futbolli sipas standardeve të UEFA-s, tribunë për spektatorët dhe ambiente ndihmëse, duke synuar përmirësimin e infrastrukturës sportive në zonë.
Investimi, i realizuar në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Futbollit (FSHF), pritet të krijojë më shumë mundësi për të rinjtë dhe të shërbejë si një hapësirë e re për aktivitete sportive, kulturore dhe sociale për të gjithë komunitetin.
“Katundi i Ri po bëhet me një mini-stadium modern, me fushë futbolli sipas standardeve të UEFA-s, tribunë dhe ambiente ndihmëse.
Një investim në bashkëpunim me FSHF-në, që krijon mundësi të reja për të rinjtë dhe i dhuron komunitetit një hapësirë për sport, kulturë dhe aktivitete sociale”, ka shkruar Rama.


