Agjencia e OKB-së për Refugjatët (UNHCR) ka bërë thirrje për të paktën 50 milionë dollarë ndihmë humanitare për të mbrojtur rreth 9 milionë njerëz në Ukrainë, Siri, Liban dhe Afganistan nga temperaturat e ulëta dhe kushtet e vështira të dimrit.
Agjencia paralajmëron se miliona refugjatë, persona të zhvendosur dhe njerëz të cenueshëm rrezikojnë të përballen me të ftohtin pa strehim dhe mbrojtjen e nevojshme.
Shuma e kërkuar është 3 milionë dollarë më e lartë krahasuar me vitin e kaluar, në një kohë kur nevojat humanitare po rriten dhe fondet në dispozicion mbeten të kufizuara.
“Burimet janë të kufizuara dhe kostot po rriten në mënyrë dramatike ndërsa afrohet dimri në hemisferën veriore”, deklaroi Dominic Hyde, drejtor i marrëdhënieve me jashtë në UNHCR, duke paralajmëruar se miliona njerëz në vendet e prekura nga luftërat rrezikojnë të përballen me kushte ekstreme të motit pa mbrojtje të mjaftueshme.
Situata pritet të jetë veçanërisht e vështirë në Ukrainë, e cila po përgatitet për dimrin e pestë që nga nisja e pushtimit të plotë rus në shkurt të vitit 2022. UNHCR thekson se sulmet ndaj civilëve dhe infrastrukturës energjetike, si dhe ndërprerjet e energjisë elektrike, po e vështirësojnë edhe më shumë jetën e përditshme të popullsisë. Dëmtimi i sistemeve të furnizimit me energji dhe vështirësitë në aksesin ndaj shërbimeve bazë shtojnë rrezikun për familjet më të cenueshme.
Në Afganistan, kriza humanitare po thellohet për shkak të kthimit masiv të njerëzve nga vendet fqinje. Sipas të dhënave të UNHCR-së, pothuajse 4 milionë persona janë kthyer nga Pakistani dhe Irani gjatë periudhës janar 2025 – korrik 2026. Shumë prej tyre kanë mbërritur me pak burime financiare dhe materiale, duke e bërë të vështirë sigurimin e strehimit dhe kushteve minimale për përballimin e dimrit.
Edhe në Siri situata mbetet shqetësuese. Miliona refugjatë janë kthyer pas rrëzimit të regjimit të Bashar al-Assad, por kushtet e jetesës vazhdojnë të jenë të vështira. UNHCR thekson se mungesa e fondeve po pengon përmbushjen e nevojave më themelore, përfshirë strehimin, veshjet e ngrohta dhe karburantin për ngrohje. Me afrimin e dimrit, shumë familje të kthyera rrezikojnë të përballen me kushte të pasigurta jetese dhe mungesë të ndihmës humanitare.
Në Liban, rreth 300 mijë njerëz pritet të kenë nevojë për mbështetje humanitare gjatë dimrit. Megjithatë, fondet aktuale të UNHCR-së mundësojnë ndihmën vetëm për gjysmën e tyre, çka do të thotë se rreth 150 mijë persona rrezikojnë të mbeten pa mbështetjen e nevojshme për të përballuar temperaturat e ulëta.
Apeli i UNHCR-së vjen në një kohë kur krizat humanitare dhe konfliktet e armatosura kanë detyruar miliona njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre. Sipas të dhënave të agjencisë, deri në fund të vitit 2025, gati 120 milionë njerëz në mbarë botën ishin zhvendosur me forcë për shkak të luftërave, persekutimit dhe krizave të tjera.
UNHCR u bën thirrje donatorëve dhe komunitetit ndërkombëtar të sigurojnë fondet e nevojshme përpara se temperaturat të bien ndjeshëm, duke theksuar se ndihma duhet të mbërrijë në kohë për të mbrojtur jetën e miliona njerëzve.


