Për tifozët natyrisht ishte tjetër ndeshje. Një Xhenoa-Juventus është duel i Serisë A, qoftë për përkrahësit ligurë dhe ata piemontezë, ndërsa për shqiptarët këtë herë ishte një duel mes dy yjeve të tyre.
Mario Mitaj dhe Edon Zhegrova u vunë përballë në stadiumin “Marasi” në Gjenovë, ku vendasit arritën një fitore spektakolare ndaj rekordmenëve të titujve në Itali.
Mbrojtësi I kombëtares shqiptare u aktivizua sërish në Serinë A, nga ana e trajnerit Daniele De Rosi, dhe kjo ndodhi pa u mbyllur ende pjesa e parë.
Sulmuesi I Kosovës, një nga virtuozët e topit, hyri në terren menjëherë pas pushimit, dhe ishte padyshim ndër më të mirët e “zebrave”.
Nga këmbët e Zhegrovës u nisën disa nga aksionet e rrezikshme të Juventusit, ai provoi edhe gjuajtje, por fati nuk ishte me të.
Në fund, tifozët e vlerësuan me një notë nga më të mirat, pas dy gjenovezëve, Bijlov dhe Baldanci.
Xhenoa fitoi me dy gola të shpejtë.
Ehizibue realizoi në 12’, dhe pikërisht Baldanci në 28’, ndërsa të besuarit e trajnerit Luçiano Spaleti nuk gjetën dot një përgjigje.
“Ngurosëse, – është titulli I “Tutosportit”, – Një Juve e shpërfytyruar turpërohet nga një Xhenoa e madhe, Spaleti ikën nga trutë e kokës!”
Pak rëndësi pati fakti që “Zonja e Vjetër” luajti diçka më mirë, qoftë në zotërim topi dhe në gjuajtje, sepse nuk shënoi dot asnjëherë.
Në renditje, bardhezinjtë kanë zbritur në vendin e 8-të me 11 pikë më pak se Interi e Lacio që janë në majë të kampionatit italian./abcnews.al


