Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Projektbuxheti 2027, mbi 10 miliardë euro shpenzime, dyfishohet bonusi i pensionistëve

schedule09:37 - 29 Tetor, 2026

schedule 09:37 - 29 Tetor, 2026

Ministri i Financave, Petrit Malaj, prezantoi projektbuxhetin e vitit 2027 dhe paketën e re fiskale, duke njoftuar rritje të mbështetjes për pensionistët, familjet me fëmijë dhe arsimin. Shpenzimet e parashikuara në buxhet kalojnë 10 miliardë euro.

Gjatë prezantimit në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve, Malaj theksoi se projektbuxheti është hartuar mbi analiza makroekonomike dhe parashikime fiskale, me synimin për të garantuar rritje të qëndrueshme ekonomike, konsolidim të financave publike dhe ruajtjen e ekuilibrit mes të ardhurave dhe shpenzimeve.

Sipas ministrit, të ardhurat buxhetore për vitin 2027 parashikohen në 907.9 miliardë lekë, ose 30.9% e Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB). Ai bëri të ditur se të ardhurat totale pritet të jenë rreth 56 miliardë lekë më të larta se në vitin 2026.



“Shqipëria po financon zhvillimin pa rrezikuar stabilitetin”, deklaroi Malaj, duke nënvizuar se qeveria synon të vijojë konsolidimin fiskal dhe të përmirësojë standardin e jetesës së qytetarëve.

Pensionet dhe mbështetja për familjet

Një nga masat e njoftuara në projektbuxhet është indeksimi i pensioneve në prill 2027. Gjithashtu, sipas ministrit, bonusi për pensionistët do të dyfishohet, me një fond të parashikuar prej 20 miliardë lekësh.

Edhe bonusi i bebeve pritet të rritet në mënyrë progresive për fëmijët deri në moshën pesëvjeçare, në kuadër të masave për mbështetjen e familjeve.

Më shumë fonde për arsimin

Projektbuxheti parashikon gjithashtu financime shtesë për arsimin dhe kërkimin shkencor. Sipas Malajt, prioritetet përfshijnë:

– 1.1 miliardë lekë për rritjen e bursave për studentët nga familjet në nevojë;

– 400 milionë lekë shtesë për përmirësimin e infrastrukturës së arsimit bazë;

– 500 milionë lekë për programin mësimor pas orarit të shkollës (after school);

– 100 milionë lekë për kërkimin shkencor.

Ministri deklaroi se këto investime synojnë përmirësimin e kushteve në arsim dhe forcimin e lidhjes mes dijes dhe zhvillimit ekonomik të vendit.

Synimi: Shqipëria në BE deri në vitin 2030

Malaj theksoi se projektbuxheti për periudhën 2027–2029 pasqyron prioritetet e qeverisë për zhvillim të qëndrueshëm, financa publike të shëndosha dhe një Shqipëri më sociale.

Ai nënvizoi gjithashtu se përmbushja e objektivit për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian deri në vitin 2030 mbetet një nga drejtimet kryesore të politikave qeveritare.

Projektbuxheti i vitit 2027, i miratuar nga Këshilli i Ministrave, është paraqitur në Konferencën e Kryetarëve dhe vijon procedurat parlamentare për shqyrtim dhe miratim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!