Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka kritikuar ashpër vendimin e gjykatës së Milanos për lirimin e 30-vjeçarit me nënshtetësi të dyfishtë marokene-italiane Youssef Siher, i cili ishte i dyshuari kryesor sa i përket administrimit të kanalit në platformën Telegram, ku u bë thirrje për organizimin e protestave të dhunshme në Itali, me Siher, i cili konsiderohej ideatori i lëvizjes së 17 tetorit që solli shkatërrimin e bizneseve në Milano.
Kryeministrja italiane u shpreh se vendimi i gjyqtares së Milanos ishte i turpshëm dhe fyente forcat e rendit, por edhe bizneset që u shkatërruan.
“Një vendim i turpshëm. Besoj se kjo është një fyerje e papranueshme ndaj punës së policisë, hetuesve, Ministrisë së Brendshme dhe, më gjerë, ndaj të gjithë atyre që përpiqen të mbrojnë qytetarët e ndershëm nga rreziku i shkatërrimit të qyteteve dhe bizneseve të tyre.”
Gjyqtarja italiane Tiziana Landoni rrëzoi arrestimin e 30-vjeçarit marokeno-italian, duke e quajtur atë të paligjshëm dhe duke mos aprovuar kërkesën e bërë nga Prokuroria.
Ajo vendosi lirimin e 30-vjeçarit për mungesë të provave serioze që provonin fajësinë e tij, duke arsyetuar se në mesazhet e grupit të Telegramit Siher nuk kishte bërë thirrje për veprime të dhunshme dhe as kishte përmendur dhunën e 17 dhe 18 tetorit si model për protestat që propozonte të organizoheshin.
Gjyqtarja vuri në dukje se mesazhet e tij u referoheshin kryesisht “mosbindjes civile” dhe organizimit të demonstratave të përjavshme, me synimin për të sensibilizuar dhe përfshirë sa më shumë qytetarë, por nuk përmendej drejtpërdrejt kryerja e akteve të dhunës. Avokatët e tij deklaruan se në këtë rast nuk bëhej fjalë për terrorizëm dhe se nuk ekzistonte asnjë vepër penale.
Gjyqtarja arsyetoi gjithashtu se kanali i Telegramit i hapur nga 30-vjeçari Siher ishte hapur më 18 tetor dhe jo të shtunën e trazirave të 17 tetorit në Milano dhe qytete të tjera italiane./abcnews.al


