Tre ngjarje të rënda janë regjistruar në Tiranë gjatë orëve të para të mëngjesit, duke përfshirë një plagosje me armë zjarri, një shpërthim të dyshuar me lëndë plasëse dhe një aksident rrugor me pasojë vdekjen e një këmbësori.
Sipas informacioneve paraprake të Policisë së Shtetit, rreth orës 01:00, në rrugën “Medar Shtylla”, dyshohet se 28-vjeçari S. Z. (T). ka plagosur me armë zjarri 22-vjeçarin E. Z. I plagosuri ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve, ndërsa autori i dyshuar është shpallur në kërkim.
Rreth 15 minuta më vonë, në rrugën “Lidhja e Prizrenit”, dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde plasëse në oborrin e banesës së një 56-vjeçari me inicialet S. N. Nga shpërthimi janë dëmtuar dy automjete të parkuara në oborr. Për këtë rast vijojnë hetimet për të zbardhur rrethanat dhe autorësinë.
Ndërkohë, rreth orës 05:45, në Fushë Prezë, një 58-vjeçar me inicialet S. A. ka humbur jetën pasi dyshohet se është përplasur nga një automjet që drejtohej nga 35-vjeçari E. Xh. Me drejtuesin e automjetit po kryhen veprimet procedurale.
Grupet hetimore po punojnë për dokumentimin e plotë të të tria ngjarjeve dhe sqarimin e rrethanave të tyre.


