Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, ka komentuar zhvillimet politike në Izrael, duke theksuar se skena politike në vend është më e fragmentuar se më parë dhe se mundësia për zgjedhje të reja mbetet e lartë.
Sipas Krisafit, partia e Netanyahut ka pësuar rënie në mandate, ndërsa opozita që synon largimin e tij nga pushteti po përballet me vështirësi për të siguruar shumicën e nevojshme parlamentare.
Krisafi kujton se edhe katër vite më parë Izraeli u përball me një situatë të ngjashme, kur Netanyahu përdori pozicionin e tij si forcë e parë politike në përpjekjet për të ruajtur pushtetin.
Eksperti shprehet gjithashtu skeptik për mundësinë e krijimit të koalicioneve me partitë arabe nga cilado prej palëve politike.
“Partia e Netanyahut ka rënë në mandate dhe ka një lloj zhgënjimi nga opozita kundër Netanyahut, sepse janë larg arritjes së një shumice në pushtet. Ka një polarizim edhe më të madh të politikës izraelite. Është më e copëzuar se më parë, mundësia më e madhe do të jenë zgjedhje të tjera pas disa muajsh.
Para 4 vitesh ka pasur një situatë të tillë dhe Netanyahu luante kartën se ishte i pari. Nuk mendoj se ka ndonjë shans që ndonjëra nga palët të ketë mundësinë të bëjë koalicion me partitë arabe. Në pamje të parë, ka një zhgënjim nga të dyja palët.”


