Ish-ministri i Mjedisit në Maqedoninë e Veriut, Xhelil Bajrami, është shprehur se qeveritë largohen nga pushteti përmes votës dhe organizimit politik, ndërsa protestat, sipas tij, nuk janë të mjaftueshme për të rrëzuar një qeveri.
Duke iu referuar protestave në Serbi, Bajrami tha se pjesëmarrja masive në protesta nuk e tronditi pushtetin e Vuçiçit, por organizimi i tyre solli ndryshimin.
“Qeveritë largohen me votë dhe organizime politike, nuk i rrëzon dot me protesta. 550 mijë njerëz në Beograd nuk e tronditën Vuçiçin, në Novi Sad dolën me mijëra njerëz. Qeveria u thoshte: “Ju dëgjoj, organizohuni, futuni në zgjedhje.”
Analisti politik Plator Nesturi ka komentuar zhvillimet politike dhe protestat në Shqipëri.
Sipas Nesturit, zhvillimet në vende të veçanta mund të kenë ndikim edhe në të ardhmen e BE, ndërsa thekson se edhe një protestë me pjesëmarrje të vogël mund të ketë pasoja të mëdha politike, në varësi të kauzës që ngre.
“Jemi në një moment ku po shkartisen letrat e politikës dhe përfaqësitë. Këto gjëra që ndikojnë në vende të veçanta, do të ndikojnë edhe te BE-ja nesër. Një protestë shumë e vogël mund ta rrëzojë qeverinë, sepse varet çfarë kauze nxjerr.
Shoqëria është e ndjeshme ndaj protestave. Nuk kemi të bëjmë me protesta të opozitës, pavarësisht elementeve. Ka ikur koha që të krahasohet mazhoranca me Berishën. Varet sesi i përgjigjesh një realiteti me të cilin ndeshesh.” / abcnews.al /


