Analisti politik Roland Bejko, i ftuar në emisionin “Real Story”, ka komentuar ndikimin që mund të ketë një fitore e Marine Le Pen në Francë mbi Bashkimin Europian dhe rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Sipas Bejkos, politikat e presidentit Emmanuel Macron kanë thelluar përçarjet në shoqërinë franceze, ndërsa një ndryshim politik në Francë mund të vështirësojë funksionimin e BE-së.
Ai paralajmëroi se pasojat mund të ndihen edhe në Shqipëri, në një moment kyç për procesin e integrimit europian, duke theksuar se paqartësitë mbi të ardhmen e BE-së mund ta vendosin Ballkanin në një pozitë delikate gjeopolitike.
“Në krahasim me vendet e Ballkanit, Vuçiç ia arriti që të bëjë një diferencim mes Lindjes dhe Perëndimit. Franca është një vend shumë i rëndësishëm për vendet e BE-së, për më tepër që tani Britania ka dalë jashtë, fitorja e Le Pen do e bënte shumë të vështirë punën e BE-së. Jo pak të vështirë do e kishin edhe komisionerët që merren me ekonominë dhe tregun.
Thelbi i BE-së është tregu i përbashkët europian, ka qenë dyshja Sarkozi dhe Merkel. Të vijmë te ajo “Çfarë po ndodh?”. Që ka arritur Franca në këtë pikë, është në sajë të politikave të Macron, të politikave që ka bërë gabim dhe atyre që s’ka bërë fare. Macron i ftoi zgjedhjet për 3 muaj, dhe erdhi me një mision, ai jo vetëm që nuk e përmbushi këtë mision, ai e paralizoi më shumë shoqërinë franceze.
Ai ka për të ikur dhe nuk ka për të kandiduar më dhe francezët mezi presin që ta heqin qafe. Në raport me Ballkanin dhe atë se çfarë do të ndodhë me Shqipërinë, edhe për vendin tonë do të jetë një moment i vështirë, sepse jemi në fazën më optimiste për të qenë pjesë e BE-së. Nuk duhen mohuar arritjet që ka bërë Shqipëria në planin ekonomik dhe në rajon. Nuk kanë qenë kaq shumë prezentë liderët e BE-së në Shqipëri.
Nëse rreziku përtej Europës, Ballkani do të jetë i trazuar, do të ketë një ndërhyrje nga vendet e tjera. Fitorja e Le Pen do të ndikojë edhe në Shqipëri. Në këto kushte Ballkani është në pozita shumë delikate, në rast se nuk do të futemi në BE, do të jetë shumë e vështirë për ne”, tha Bejko.


