Disa marka të mëdha kineze kanë ndërprerë bashkëpunimin me futbollistin francez Kylian Mbappe, pas reagimeve të shumta në internet për komentet e tij të pretenduara mbi ish-liderin kinez Mao Ce Dun.
Mbappe dyshohet se ka treguar në emisionin francez The Bridge një meme që, sipas tij, e bën të qeshë më shumë se të tjerat. Në të shfaqej një personazh që ai e përshkroi si një diktator kinez, ndërsa fytyra e futbollistit ishte vendosur mbi një imazh që ngjante me atë të Mao Ce Dunit.
“E përdor gjithë kohës me miqtë e mi”, thuhet se ka shtuar sulmuesi i Real Madridit, sipas disa videove të paverifikuara që kanë qarkulluar në internet.
Mbappe nuk e përmend Mao Ce Dunin me emër, ndërsa videoja origjinale nuk gjendet më në kanalin e emisionit në YouTube. Megjithatë, pamje të shkëputura prej saj janë shpërndarë gjerësisht në rrjetet sociale kineze.
Reagimeve u është bashkuar edhe Ministria e Jashtme e Kinës. Zëdhënësi Lin Jian deklaroi se çdo fjalë apo veprim që lëndon ndjenjat e popullit kinez do të përballet natyrshëm me kundërshtimin e shoqërisë kineze.
As Mbappe dhe as drejtuesit e emisionit The Bridge nuk kanë reaguar ende publikisht lidhur me këtë çështje.
Reagimet u intensifikuan pasi forumi kinez i futbollit Dongqiudi i cilësoi komentet si të papërshtatshme dhe fyese për popullin kinez. Në deklaratën e tij, forumi tha se nuk mund t’i përkthente komentet, pasi ato ishin fyese për Kinën dhe qytetarët e saj.
Në rrjetet sociale, disa përdorues kritikuan futbollistin, i cili gëzon popullaritet të madh në Kinë dhe ka kontrata të rëndësishme me marka ndërkombëtare, duke e akuzuar se përfiton nga tregu kinez, ndërsa bën komente që fyejnë publikun vendas.
Ndërkohë, televizioni shtetëror kinez CCTV ka pezulluar transmetimin e ndeshjeve të La Ligës, sipas medias kineze The Paper. Gjithashtu, sipas gazetës shtetërore Global Times, aplikacionet informative të CCTV-së nuk përmbajnë më materiale që lidhen me sulmuesin francez.
Kompanitë kineze që kanë ndërprerë bashkëpunimin me Mbappen nuk e kanë përmendur drejtpërdrejt videon kontroverse, por në deklaratat e tyre kanë theksuar kundërshtimin ndaj çdo sjelljeje që lëndon ndjenjat kombëtare. Prodhuesi i madh i produkteve të qumështit Mengniu dhe kompania e pijeve Dongpeng kanë shprehur qëndrimin e tyre kundër veprimeve të tilla.
Mao Ce Duni themeloi Republikën Popullore të Kinës në vitin 1949 dhe drejtoi vendin gjatë dekadave të trazuara të viteve 1960 dhe 1970. Fushata e tij për industrializimin e shpejtë, e njohur si “Hapi i Madh Përpara”, shkaktoi një zi buke ku humbën jetën dhjetëra miliona njerëz. Më pas, Revolucioni Kulturor solli një valë të dhunshme spastrimesh ndaj personave të konsideruar si kërcënim për komunizmin. Megjithëse Kina u orientua më vonë drejt hapjes ekonomike, Partia Komuniste vazhdon ta konsiderojë Maon një figurë kombëtare me rëndësi historike.
Ndërkohë, Mbappe është quajtur shpesh “diktatori” në botën e futbollit, për shkak të ndikimit të tij në vendimmarrjen brenda klubeve dhe kombëtares. Kjo nofkë ka nxitur krijimin e memeve të shumta në internet. Edhe shoku i tij i skuadrës në kombëtaren franceze, Ousmane Dembele, iu bashkua kësaj tendence gjatë Kupës së Botës 2026, duke e quajtur Mbappen “Mobut”, në një referencë ndaj ish-diktatorit të Zairesë, Mobutu Sese Seko.
Në një intervistë për revistën France Football në shtator, Mbappe pranoi se shumë prej këtyre memeve janë krijuar në frymën e humorit, por paralajmëroi se ato mund të pasqyrojnë mungesë të vetëdijes politike dhe njerëzore.
Ai theksoi se krahasimi me persona përgjegjës për vrasje dhe vuajtje masive nuk është diçka që e konsideron të pranueshme, duke shtuar se nuk mendon se ka bërë ndonjëherë diçka të tillë në jetën e tij.


