Incidente të rënda janë regjistruar të shtunën pasdite në qendër të Barcelonës, ku një protestë e organizuar përmes rrjeteve sociale me sloganin “Kundër sistemit” degjeneroi në trazira dhe akte vandalizmi.
Gjatë përplasjeve, 14 biznese u dëmtuan dhe u plaçkitën, ndërsa dëme të konsiderueshme u shkaktuan edhe në stacionet e autobusëve dhe kazanët e mbeturinave. Situata e tensionuar detyroi disa dyqane të mbyllnin dyert, duke lënë qindra qytetarë të bllokuar brenda ambienteve tregtare për arsye sigurie.
Për të vënë situatën nën kontroll, autoritetet mobilizuan më shumë se 220 efektivë të policisë katalanase dhe të Policisë Bashkiake të Barcelonës. Sipas informacioneve paraprake, janë kryer mbi 100 arrestime, ndërsa rreth 25% e personave të ndaluar raportohet se janë të mitur.
Një pjesë e të rinjve pjesëmarrës në protestë mbanin veshje të zeza dhe kishin mbuluar fytyrat. Tubimi ishte organizuar përmes rrjeteve sociale, pa një njoftim zyrtar paraprak për zhvillimin e tij.
Trazirat u përhapën në disa prej zonave më të frekuentuara të qytetit, përfshirë Plaça Catalunya, La Rambla, Portal de l’Angel dhe rrugët përreth tyre.
Pas incidenteve, autoritetet bashkiake shtuan masat e sigurisë dhe përforcuan praninë policore në zonat e prekura, me synimin për të rikthyer rendin dhe për të parandaluar incidente të tjera.


