Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Europa nën kërcënimin e destabilizimit/ Luftë hibride, gjithë dyshimet te Rusia

schedule15:48 - 21 Tetor, 2026

schedule 15:48 - 21 Tetor, 2026

Protesta që nisin me kërkesa sociale, por përfundojnë në përplasje me policinë, dhunë dhe shkatërrime të pronave private e publike.

Nga Italia në Francë e deri në Portugali, zhvillimet e fundit kanë rikthyer në qendër të debatit një rrezik që shkon përtej rendit publik: përdorimin e pakënaqësive sociale si terren për destabilizim, në një kohë kur lufta hibride zhvillohet edhe përmes rrjeteve sociale, propagandës dhe manipulimit të informacionit.

Italia ka ngritur shqetësimet për ndërhyrje të mundshme nga jashtë, Franca po përllogarit faturën e rëndë ekonomike të trazirave, ndërsa në Portugali protestat për strehimin janë shoqëruar me përplasje të dhunshme dhe arrestime.



Në Itali, shërbimet e inteligjencës po analizojnë mënyrën se si u organizuan dhe u përhapën thirrjet për protestat e dhunshme në Milano, Torino dhe Bolonjë. Hetimet po shqyrtojnë rolin e rrjeteve sociale, algoritmeve dhe llogarive automatike në përhapjen e mesazheve te të rinjtë. Në vëmendje është edhe pista e një ndikimi të mundshëm të jashtëm, përfshirë atë rus.

Ministri italian i Mbrojtjes, Guido Crosetto, i ka cilësuar këto zhvillime si pjesë të një “lufte hibride”, ku përplasja nuk zhvillohet vetëm në terren, por edhe në hapësirën digjitale. TikTok-u, YouTube-i dhe platformat e tjera sociale mund të shërbejnë si mjete për përhapjen e mesazheve, nxitjen e emocioneve dhe mobilizimin e shpejtë të turmave.

Edhe ministri i Brendshëm, Matteo Piantedosi, ka kërkuar hetime të mëtejshme, duke vënë në pikëpyetje nëse mobilizimi që dukej spontan është shoqëruar me forma organizimi dhe koordinimi.

Përgjigjja e qeverisë italiane ka qenë edhe ligjore. Qeveria njoftoi vendosjen e 500 ushtarëve shtesë në Milano, për të përforcuar sigurinë pas përplasjeve mes protestuesve dhe policisë.

Në Francë, situata mbetet jashtëzakonisht e tensionuar pas tubimeve masive të 17 tetorit, të cilat mblodhën rreth 550,000 pjesëmarrës në mbarë vendin dhe degraduan në trazira e përleshje të dhunshme. Deri më tani, në të gjithë Francën janë arrestuar rreth 2,500 persona.

Për të vënë situatën nën kontroll, qeveria ka vendosur shtetrrethime lokale gjatë natës në zonat më të prekura nga demonstratat.

Në Francë, pasojat e trazirave maten tashmë edhe me miliarda euro. Dëmet e shkaktuara gjatë dhunës në protestë mund të arrijnë në 1 deri në 1.2 miliardë euro. Të paktën 3 mijë biznese janë prekur nga dhuna.

Në Portugali, përplasjet janë zhvendosur te kriza e strehimit. Policia ndërhyri në kryeqytet për të çmontuar kampet me tenda të ngritura nga demonstruesit, të cilët kërkojnë masa kundër rritjes së kostove të banimit. Protestuesit formuan një zinxhir njerëzor, përpara se situata të përshkallëzohej në përplasje me forcat e rendit.

Vetëm mbrëmjen e së martës u arrestuan 55 persona, ndërsa policia konfiskoi 228 struktura kampingu.

Në epokën e luftës hibride, destabilizimi nuk kërkon domosdoshmërisht tanke apo ndërhyrje ushtarake. Ai ushqehet edhe nga manipulimi i informacionit, polarizimi shoqëror dhe amplifikimi i pakënaqësive.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!