Detaje janë zbardhur lidhur me ngjarjen e rëndë të regjistruar mbrëmjen e sotme në rrugën “Mihal Popi”, në Tiranë, ku u gjet i pajetë 46-vjeçari Ismet Habili.
Ngjarja u raportua fillimisht si vrasje me armë zjarri, por pas hetimeve paraprake, dyshimet janë përqendruar te mundësia e vetëvrasjes.
Hetuesit dyshojnë se 46-vjeçari mund t’i ketë dhënë fund jetës, pasi arma e zjarrit është gjetur brenda automjetit ku ai u konstatua pa shenja jete.
Habili u gjet mbrëmjen e 20 tetorit, rreth orës 20:20, brenda një automjeti tip “Volvo”, në rrugën “Mihal Popi”, në bllokun “1 Maji”.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes. Dyshimet paraprake mbeten objekt verifikimi deri në përfundimin e hetimeve.
Tiranë/Informacion shtesë
Në vijim të informacionit të dhënë pak më parë, për ngjarjen e ndodhur në rrugën “Mihal Popi”, ku u gjet pa shenja jete, brenda automjetit, shtetasi I. H., ju bëjmë me dije se:
Gjatë kontrollit në automjet, u gjetën dhe u sekuestruan një armë zjarri pistoletë dhe një gëzhojë.
Nga veprimet e para hetimore dhe procedurale të kryera, dyshohet se shtetasi I. H., 46 vjeç, mund të jetë vetëvrarë.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për dokumentimin e plotë të rastit.


