Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Fermeri tregon kostot e kultivimit të lajthisë, vështirësitë e prodhimit dhe ndikimin e thatësirës te rendimenti

schedule22:20 - 20 Tetor, 2026

schedule 22:20 - 20 Tetor, 2026

Kultivimi i lajthisë kërkon investim fillestar, punë të vazhdueshme dhe njohuri për të shmangur dëmtimet që mund të ulin prodhimin. Për Julvin Markun, fermerin nga Fushë-Kruja, tetë vitet e përvojës në këtë sektor kanë sjellë mësime të rëndësishme, por edhe sfida që lidhen me kushtet atmosferike dhe dëmtuesit.

Në emisionin “Toka Jonë” në ABC News, Julvini tregon se nisja e një plantacioni me lajthi kërkon një investim që, sipas përllogaritjeve të tij, shkon rreth 5 milionë lekë për hektar, në varësi të kostove të përfshira.

Përvoja e vitit të parë ishte një ndër mësimet më të vështira. Mbjellja në një periudhë të papërshtatshme dhe mungesa e informacionit të duhur sollën kalbëzimin e fidanëve. Më vonë, dëme në prodhim shkaktuan edhe brejtësit.



Një nga periudhat më intensive të punës është vjelja, kur nevojitet më shumë krah pune për mbledhjen e lajthive, pastrimin e barërave dhe mbrojtjen e bimëve nga dëmtuesit. Për Julvinin, ky është një aktivitet familjar, ku angazhohen edhe pjesëtarët e tjerë të familjes.

Edhe këtë vit, prodhimi është ndikuar nga kushtet atmosferike. Sipas fermerit, thatësira ka ulur rendimentin, duke bërë që sasia e përftuar të jetë më e vogël nga sa priste.

“Ky vit nuk ka qenë ndër vitet më të mira të prodhimit, për shkak të thatësirës. Rreth dy kuintalë. Nëse do të kishte reshje, do të ishte më shumë”, shprehet Julvin Marku.

Prodhimin e tij ai e shet në tregun vendas. Sipas fermerit, çmimi i shitjes i mundëson të mbulojë shpenzimet dhe të sigurojë fitim, pavarësisht rendimentit më të ulët të këtij viti.

Një tjetër problem që ai ngre është mungesa e ujit për vaditje dhe mosfunksionimi i kanaleve vaditëse. Julvini thotë se gjatë verës, kur bimët kanë më shumë nevojë për ujë, furnizimi mbetet problematik, ndërsa në dimër zona përballet me përmbytje.

Për fermerin nga Fushë-Kruja, përmirësimi i infrastrukturës vaditëse do të ishte një ndihmë e rëndësishme për zhvillimin e bujqësisë dhe rritjen e prodhimit.

Më shumë informacion, përvojë dhe mbështetje për fermerët mbeten elementë të rëndësishëm për këdo që dëshiron të investojë në këtë kulturë bujqësore.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!