Zëvendësministrja e Arsimit, Orjana Osmani, ka bërë thirrje për dialog me studentët, teksa protestat në Tiranë kanë hyrë në ditën e tetë.
Në një reagim për “News Line”, Osmani theksoi se kërkesat e studentëve duhet të dëgjohen dhe se Ministria e Arsimit është e hapur për diskutime.
Ajo bëri me dije se po diskutohet një plan masash për të rinjtë, në bashkëpunim me mësues dhe psikologë, me synim parandalimin e problematikave në sjelljen e tyre. Osmani nënvizoi se protesta është një e drejtë kushtetuese, por dhuna nuk është zgjidhje.
“Ka një historik të qartë të protestës, të asaj se çfarë studentët kërkojnë. Sigurisht që Ministria e Arsimit ka punuar, por sigurisht që ka vend për të përmirësuar. Duhet që studentët të dëgjohen dhe të plotësohen kërkesat e tyre. Ka nevojë që të diskutohet, ka nevojë që të dialogohet.
Gjatë gjithë këtyre ditëve, por edhe sot ajo që është kërkuar dhe që mendojmë se mund të jetë zgjidhje është dialogu. Adoleshentët, të rinjtë dhe të miturit, dezinformimi i publikut e rrjetet sociale nxisin një shtrembërim dhe një moskuptim të realitetit.
Kanë sjellë problematika në sjellje të të rinjve apo të miturve. Është një plan masash që është në diskutim. Në planin e masave ka edhe një sërë masash që po i diskutojmë jo vetëm me mësues, por edhe me psikologë për të marrë masa për gjeneratën Z. Kemi hartuar një plan, ku do të na duhet të jemi të përgatitur për atë se çfarë duhet të punojmë me nxënësit.
Politikat në arsim bëhen sot dhe mund të ndjehen pas shumë vitesh. Duhet të jemi të përgatitur për të parandaluar. Ne jemi duke pritur bordin e PISA-s, që Shqipëria duhet të ndiqet në vitet e ardhshme. Të gjitha këto janë masa që sjellin ndërmend se dialogu është i hapur dhe se kërkesat e tyre do të dëgjohen. E drejta për të protestuar është një e drejtë kushtetuese, por dhuna nuk është zgjidhje”, tha Osmani.


