Paris SG dhe Barcelona janë dy favoritët e mëdhenj të Champions League. Deri te dita e trofeut ka ende shumë kohë dhe rrugë për të bërë, por dy skuadrat do të masin forcat në një finale të parakohshme në xhiron e tretë të ndeshjeve të fazës së Ligës.
Të gjithë prozhektorët drejtohen në “Parc de Prince”, ku pritës janë kampionët në fuqi të Europës.
Skuadra e drejtuar nga Luis Enrique kërkon të tregojë edhe një herë se nuk ka ndërmend të dorëzojë titullin. E zbuloi këtë një javë më parë me fitoren 4-2 në fushën e Manchester City. Tani pret konfirmimin, përballë atij që konsiderohet si ekipi më spektakolar i këtij sezoni në futbollin europian.
Parizienët kanë një mungesë të rëndësishme si ajo e anësorit të majtë Nuno Mendez, që vuan një dëmtim, ndërsa për herë të parë në Ligue 1 dhe Champions nuk shihen si favoritë.
Në super ndeshjen e mbrëmjes, pretendente shihet Barcelona, që sipas të gjitha parashikimeve ka kuota më të larta për të fituar. Diferenca është e vogël, por gjithsesi skuadrës së Hansi Flick I jepen më shumë shanse për sukeses.
Këto pritshmëri kanë baza të forta, pasi kampionët spanjollë nuk njohin humbje në këtë sezon, ndërsa janë një makineri golash, me më shumë se 4 realizime për ndeshje.
Nëse për Paris SG, ky është testi i dytë pas atij me City, për Barcelona është i pari dhe vjen në një javë zjarri për “blaugrana”, që të dielën do të luajë edhe “El Clasico” e parë në la Liga kundër rivalëve të përjetshëm të Real Madrid.


