Sipërmarrësja Etleva Treska thotë se qytetarët duhet të jenë të qetë lidhur me sistemin bankar, edhe pse nga protestuesit e dhunshëm ka pasur sulme ndaj disa filialeve.
Në një intervistë për “Money Report” në ABC News, Treska u shpreh se përshkallëzimi i dhunës ka prekur biznesin e vogël dhe të mesëm.
Sipas saj, përveç dëmeve të shkaktuara, bizneset kanë edhe fitimet e munguara.
“Qytetarët duhet të jenë të qetë sa i përket sistemit bankar. Sa i përket bizneseve të vogla, nuk ka pasur qetësi. Përshkallëzimi ka prekur biznesin e vogël dhe të mesëm. Nuk mund të japim një shifër të saktë, faturën në fund e paguan klienti, me çmime të rritura. Bizneset, kur ka luhatje tregu, ka rritje të çmimeve. Biznesi nuk ka pasur vetëm humbje të drejtpërdrejta, ka edhe fitimin e munguar. Ka edhe koston e rikuperimit të subjektit. Besoj se qeveria do dalë me pasqyrë të saktë, se kë dhe si do të ndihmojë. Në përgjithësi, në Shqipëri nuk ka kulturë për sigurimin e bizneseve. Kjo ka pasur edhe dëm moral te biznesi”, theksoi ajo./abcnews.al


