Kryeministri Edi Rama deklaroi se nuk do të negociohet me persona të cilët kanë qëlluar me gurë dhe kanë dhunuar policinë.
Në një konferencë të përbashkët për shtyp me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, Rama u shpreh se Shqipëria bëhet me studentë, dhe jo me terroristë.
Rama shtoi se të rinj janë frymëzuar nga forca e errët, e quajtur antifa, të cilën SHBA e ka shpallur organizatë terroriste.
“Po përballen me një valë dhune që nuk ka të bëjë me asnjë arsye legjitime, për të pasur pakënaqësi dhe për të kërkuar më shumë nga qeveria. Kam ardhur sot prapë me këtë me vete, duhet ta mbash me vete, ta peshosh, sa i shtohet pesha kur vjen në drejtimin e njerëzve me uniformë dhe çfarë mund të bëjë mbi këdo. Me këtë nuk negociohet. Në momentin kur shteti negocion me të, ka rënë. Dhe kur fiton ky, atëherë, logjika e këtij bëhet vetë shteti. E ka parë Shqipëria këtë film më shumë se një herë, pasoja janë plagë që duhen vite për t’u shëruar. Nuk do të thotë aspak se kush sot proteston paqësisht, edhe pse janë shumë pak, duan përmbysje. Janë të rinj dhe të reja të ekstremizuar nën frymëzimin e asaj force të errët dhe të re që është shfaqur në Europe dhe SHBA, që presidenti e ka shpallur organizatë terroriste, Antifën. Ata janë peng i një ideologjie të re, shkatërro gjthçka”, theksoi ai./abcnews.al


