Sondazh

Dhuna e opozitës përballë integrimit europian, si duhet të reagoje qeveria?

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Shpërthen Elisa: Rama rri!/ Trakti i Spiropalit mes protestës. Kërkon rotacion

schedule19:21 - 16 Tetor, 2026

schedule 19:21 - 16 Tetor, 2026

Në ditën kur protesta u duk më e zbehtë, në ndihmë asaj i erdhi personazhi me emrin Elisa, siç dhe vetëquhet në letrën e hapur që i drejtohet kryeministrit, deputetja Spiropali. Kryeministrit ajo i drejtohet thjesht me emrin Edi, në emër të konfidencës së dikurshme. Konfidencë që humbi pasi Edi i saj e largoi nga qeveria. Dhe tani që qeveria e Edit përballet me krizën më të fortë në 14 vjet, Elisa i bëri atij thirrje t’i thërriste mendjes. Edi nuk ka prerë në besë vetëm Elizën.

“Ed’, përfytyroje veten si demonstrues, në mes të protestës, mes njerëzve që kanë dalë në rrugë sepse ndihen të padëgjuar, të papërfaqësuar, të prerë në besë, të lodhur.”

Elisa, deputetja mjaftiste, e cila pasi u shkarkua si ish-ministre e Jashtme, u dashurua me flamingot në bulevard, të premten u dashurua dhe kur ata u shndërruan në protestues të dhunshëm. Por Elisa i sheh gurët, jo si shenjë dhune, por dashurie. Sipas saj, gurët nuk janë Rama ik, por Rama rri. Por edhe nëse Edi ikën, ajo nuk mërzitet.



“As rotacioni politik nuk duhet të jetë tabu. As zgjedhjet e reja nuk duhet të shihen si kërcënim. Zgjedhjet duhet të jenë një mundësi për të rikthyer besimin, jo një përplasje tjetër që e ndan vendin në kampe armiqësore.”

Në shkrimin e saj shekspirian, Elisa nuk fsheh mërzinë se Edi i saj legjendar nuk ekziston më.

“Është Shqipëria që ideoi ky burri këtu, Skënderbeu.”

“Ti idealisti i dikurshëm, ti intelektuali që tallej me banalitetin dhe në 2013 shumë të djathtë të panë me simpati – mundesh! Këto t’i thotë një njeri që të çmon, që beson se e mira brenda teje është pakrahasimisht më e madhe se gjithçka tjetër.”

Në pamfletin e saj, botuar në mes të gurëve që bien mbi Skënderbeun, ajo nuk sqaron mirë nëse, me fjalët e fundit, e keqja brenda Edit është e madhe.

Por duket qartë se kohët e arta të udhëtimeve jashtë Tiranës për fundjavë mes Skënderbeut të Elisës dhe Mamicës së Edit kanë mbaruar.

Trakti emocional i Elisës nuk i fsheh ama ambiciet e saj. Ajo i bën thirrje Edit të mbajë zgjedhje të brendshme në parti, mesa duket e sigurt se ajo do të fitojë prestigjin e dikurshëm, e ku i dihet, dhe të bëhet kryeministrja që ta çojë Shqipërinë në Europë.

“Edhe Partia Socialiste duhet të ketë kurajën të ndryshojë. Me zgjedhje të vërteta brenda saj, me meritë, vetëkorrigjim, përgjegjësi dhe hapjen e rrugës për një brez të ri drejtuesish.”

Po përtej lojës së batutave, mes të shkuarës së Spiropalit dhe të ardhmes së Elisës, e vetmja gjë serioze në traktin e saj të premten ishte një e vërtetë e hidhur: kalaja rozë e Rozafës nuk goditet nga gurët që hidhen nga jashtë, por nga gurët e themeleve, që goditen nga brenda. Por nga ballkoni i Bogës deri në Shkodër kanë një shprehje, siç ia tha dhe doktori: mos të hyptë vedi n’qejf.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!