Kredi më të sigurta për qytetarët, kufi për interesat dhe më shumë transparencë në çmime. Qeveria ka dorëzuar në kuvend projektligjin për mbrojtjen e konsumatorit që synon të forcoj kriteret për mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht në marrjen e kredive dhe në blerjen e produkteve e shërbimeve.
Në draft parashikohet ngritja e Agjencisë Kombëtare për Mbrojtjen e Konsumatorit e cila do të jetë organi përgjegjës kompetent i krijuar sipas këtij ligji për mbrojtjen e të drejtave dhe interesave të konsumatorit në treg.
Një nga pikat kryesore e përcaktuar në ligj lidhet me kreditë dhe vendosjen e një kufiri maksimal për interesin e kredive konsumatore dhe atyre për blerjen e një banese.
Ky kufi do të përcaktohet nga Banka e Shqipërisë dhe ministria përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorit. Në llogaritjen e tij do të përfshihen edhe komisionet, tarifat dhe kostot e tjera të kredisë. Çdo kontratë që tejkalon kufirin e lejuar do të jetë e pavlefshme në këtë pjesë.
Një tjetër ndryshim i propozuar në ligj është një masë që lidhet me uljet e çmimeve. Tregtarët do të duhet të tregojnë çmimin më të ulët të produktit gjatë të paktën 30 ditëve përpara uljes, në mënyrë që qytetarët të kuptojnë nëse oferta është reale.
Ndryshimet parashikojnë gjithashtu më shumë transparencë edhe në blerjet online, informim më të qartë përpara lidhjes së kontratave dhe mbrojtje nga praktikat manipuluese në platformat digjitale.
Në fokus janë edhe të drejtat e konsumatorëve në rastet e produkteve me mangësi, vonesave në dorëzim dhe praktikave të padrejta tregtare.
Përmes këtyre ndryshimeve synohet që konsumatorët të kenë më shumë informacion, të mbrohen nga kostot e larta dhe ofertat mashtruese, si dhe të kenë më shumë siguri kur lidhin kontrata apo kryejnë blerje online.
Nisma synon përafrimin e legjislacionit shqiptar me rregullat e Bashkimit Evropian për mbrojtjen e konsumatorëve.


