Historia e Xhuljeta Filipit duket si një skenar filmi, por është një aventurë e jetuar mes dhimbjes, guximit dhe sakrificave për familjen. Ish-basketbollistja e Lokomotivës së Durrësit jeton prej 34 vitesh në Itali, ku emigroi në vitin 1993 me bashkëshortin.
Por vajzën e vogël e la në Shqipëri, pranë prindërve të saj, dhe largësia u kthye në një plagë të përditshme. Dhimbja u bë edhe më e madhe kur mësoi se vajza e saj trevjeçare kishte filluar ta thërriste gjyshen “mami”. Atëherë Xhuljeta mori një vendim ekstrem: do të kthehej në Shqipëri dhe do ta merrte vajzën me çdo kusht.
Me dokumentet e të dashurës së një miku të përbashkët, ajo udhëtoi drejt Durrësit. Kur mbërriti, përqafimi me vajzën ishte vetëm fillimi i një aventure të rrezikshme. Duke parë të voglën që luante duke hyrë e dalë nga një valixhe, Xhuljetës i lindi ideja që të fshihte aty vajzën dhe ta kalonte kufirin drejt Italisë.
Të gjithë e kundërshtuan. I thanë se ishte çmenduri dhe se po rrezikonte jetën e fëmijës. Por ajo ishte e vendosur. Ditën e nisjes, mori dy valixhe: njërën me rroba dhe tjetrën me vajzën brenda.
Sipas rrëfimit të saj, i dha të voglës një ilaç gjumi dhe u nis drejt tragetit.
Gjatë udhëtimit, ankthi ishte i madh. Vajza u zgjua, kërkoi të shkonte në tualet dhe nëna duhej të gjente mënyra për të mos u zbuluar. Një djalë që ndodhej pranë saj e kuptoi çfarë po ndodhte, por i premtoi se do të heshtte. Momenti më i vështirë erdhi gjatë kontrollit në portin e Durrësit. Xhuljeta tregon se arriti të mbante pranë vetes valixhen ku fshihej vajza, ndërsa punonjësit kontrolluan dhe dëmtuan tjetrën.
Ajo shfrytëzoi rastin për ta nxjerrë të voglën jashtë dhe vazhdoi rrugën drejt Italisë. Kur mbërriti në shtëpi, ia vendosi vajzën në krevat bashkëshortit, i cili mezi e besonte se fëmija i tyre ishte më në fund pranë tyre. Por kjo nuk ishte aventura e vetme e rrezikshme e Xhuljetës.
Më vonë, gjashtë muajshe shtatzënë me djalin, ajo tentoi të kalonte detin me gomone, pasi nuk po arrinte të kthehej në Itali. Rrugëtimi i saj përfshiu edhe përpjekje për të jetuar në Greqi, kalime malesh në këmbë dhe sfida të tjera të emigracionit.
Me kalimin e viteve, ndihmoi edhe të afërm të bashkoheshin me të në Itali, ndërsa prindërit i mori pranë vetes deri në fund të jetës. Sot, Xhuljeta drejton një kompani sigurimesh së bashku me bashkëshortin dhe shijon jetën si një grua aventuriere.
Por pas dekadash, historia e saj mbetet dëshmi e dhimbjes që emigracioni u shkaktoi familjeve shqiptare dhe e sakrificave që një nënë ishte e gatshme të bënte për të mos u ndarë nga fëmija i saj./abcnews.al


