Një avion Boeing 737 i “Ukraine Airlines” u rrëzua në pistë menjëherë pas nisjes në aeroportin e Teheranit, Imam-Khomeini. Në bord ndodheshin 176 persona dhe asnjeri prej tyre nuk mbijetoi.
82 prej pasagjerëve ishin Iranian, 63 kanadezë, 11 ukrainas, 10 suedezë, katër afganë, tre gjermanë dhe tre britanikë, sipas një njoftimi në “Twiter” të Ministrit të Jashtëm ukrainas. Sipas Këshillit të Sigurisë së Kiev, nga 11 ukrainasit, 9 ishin anëtarë të ekuipazhit.
Autoritetet ukrainase dhe iraniane përjashtuan mundësinë se rrëzimi i avionit ndodhi si pasojë e ndonjë sulmi terrorist. Sipas Ministrisë Iraniane të Transportit incidenti ndodhi si pasojë e një motori që mori flakë. I njëjti burim përjashtoi mundësinë që avioni të jetë goditur me raketë. Edhe ambasada ukrainase në Iran, dha për “CNN” të njëjtat informacione.
Presidenti ukrainas Zelenski anuloi vizitën e tij zyrtare në Oman për t’u rikthyer menjëherë në Kiev, dhe shpalli 9 janarin ditë zie kombëtare.
Irani ndërkohë nuk do i japë kompanisë Boing kutitë e zeza të avionit ukrainas të rrëzuar menjëherë pas nisjes. Lajmi konfirmohet nga agjencia iraniane e lajmeve Mehr, që citon kreun e aviacionit civil Iranian. Por ky i fundit nuk tha se në çfarë vendi do të dërgohen për t’u analizuar kutitë.
Autoritetet ukrainase kanë vendosur të mos publikojnë asnjë variant të incidentit deri në momentin e përfundimeve të hetimeve./abcnews.al