Shqipëria ka mbyllur përkohësisht një tjetër kapitull të negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke e çuar në katër numrin e kapitujve të mbyllur.
Në Konferencën e 10-të Ndërqeveritare Shqipëri-BE, të zhvilluar në Luksemburg, u formalizua mbyllja e Kapitullit 20, “Ndërmarrjet dhe Politikat Industriale”, që lidhet me zhvillimin e sipërmarrjes, mbështetjen e bizneseve, inovacionin dhe konkurrueshmërinë e ekonomisë.
Pas Konferencës Ndërqeveritare, kryeministri Edi Rama deklaroi se qeveria shqiptare nuk do i ndahet reformave, pa vendosur flamurin e Shqipërisë, krahas vendeve të Bashkimit Europian.
“Ja ku jemi prapë, po ne jemi, po këtu jemi, prapë një kapitull u mbyll, se pa e sjellë flamurin e Shqipërisë këtu dhe pa e vënë në krye, se është Albania dhe është më i bukuri flamur i Europës, ne nuk i ndahemi këtyre dhe kush nuk na ndahet ne, thjesht dhe vetëm na ndihmon ta bëjmë më shpejt këtë punë. Kurse, ata që nuk duan, duan apo nuk duan, papë do gëzohen kur të vendosim këtu flamurin e Shqipërisë”, theksoi kreu i qeverisë./abcnews.al


