Një ekzekutim i dështuar në shtetin amerikan të Tenesit ka ngritur pikëpyetje serioze mbi procedurat e përdorura dhe reagimin e autoriteteve, pasi 50-vjeçarja Krista Pike mbijetoi edhe pasi iu administruan dy doza të substancës vdekjeprurëse.
Sipas regjistrimeve të thirrjeve emergjente të siguruara nga Associated Press, ndihma mjekësore u vonua për shkak të konfuzionit mes shërbimeve të emergjencës dhe autoriteteve të burgut Riverbend. Telefonata e parë në numrin 911 u bë në orën 20:40, por kërkesa u konsiderua fillimisht e dyshimtë, pasi telefonuesi nuk arriti të jepte kodin e kërkuar të verifikimit.
Vetëm rreth orës 21:11 autoritetet e burgut konfirmuan se incidenti ishte i vërtetë dhe lejuan ekipet e shpëtimit të hynin në ambientet e burgut. Pike u transportua më pas në spital, ku qëndroi e intubuar për disa ditë. Ajo rifitoi vetëdijen dhe më vonë u lirua nga spitali, duke u kthyer në burg.
Pike ishte dënuar me vdekje për vrasjen e shoqes së saj të klasës, Colleen Slemmer, në vitin 1995, kur ishte 18 vjeçe.
Deri më tani, autoritetet nuk kanë dhënë një shpjegim përfundimtar se çfarë shkoi keq gjatë ekzekutimit. Ekspertët kanë ngritur si mundësi probleme me substancën e përdorur ose me administrimin e saj përmes kateterëve intravenozë.
Avokatët e Pike kishin paralajmëruar më herët për probleme të mundshme me venat e saj dhe për një çrregullim të gjakut që mund të shkaktonte mpiksje në vendin e injektimit.
Pas incidentit, guvernatori i Tenesit, Bill Lee, urdhëroi pezullimin e ekzekutimeve të ardhshme deri në përfundimin e hetimit. Ndërkohë, mbetet e paqartë nëse autoritetet do të tentojnë sërish ekzekutimin e 50-vjeçares.


