Lideri i partisë britanike Reform UK, Nigel Farage, ka paralajmëruar një ndryshim në politikën e emigracionit, nëse vjen në pushtet.
Plani i tij parashikon pezullimin e sistemit aktual të azilit dhe deportimin e rreth 90 mijë personave që kanë aplikuar për mbrojtje në Britani, ndërsa statusi i refugjatëve të pranuar gjatë pesë viteve të fundit do të rishqyrtohet.
Sipas propozimit të prezantuar nga Farage, qeveria e tij do të shpallte një “emergjencë të sigurisë kombëtare”, duke pezulluar veprimtarinë e gjykatave që trajtojnë çështjet e azilit. Masat do të shoqërohen edhe me ndërprerjen e rrugëve ligjore të pranimit të refugjatëve dhe të skemave të rivendosjes së tyre në vend.
Nisma, e pagëzuar nga Reform UK si “Rivendosja e Drejtësisë”, synon të kufizojë ndjeshëm mundësitë për vendosje të përhershme në Britani dhe përfitimin e mbrojtjes humanitare. Përtej 90 mijë aplikuesve që përmenden në plan, rishikimi i statusit të personave të cilëve u është dhënë azil mund ta zgjerojë ndjeshëm numrin e të prekurve.
Farage dhe partia e tij po e vendosin emigracionin në qendër të betejës politike, ndërsa Reform UK synon të shfrytëzojë pakënaqësinë e një pjese të elektoratit ndaj politikave aktuale kufitare.
Sipas sondazheve të përmendura në debatin politik britanik, partia ka fituar terren ndaj konservatorëve dhe konkurron për mbështetjen e votuesve të pakënaqur me qeverinë.
Nigel Farage, partia e të cilit është e dyta pas Laburistëve dhe përpara konservatorëve në sondazhe, ka deklaruar se partia e tij po përgatitet për zgjedhje të reja të parakohshme në maj të vitit 2027, plane që ende nuk janë deklaruar nga kryeministri Andy Burnham.
/abcnews.al/


