103 kilogramë më pak në rreth tre deri në katër vite. Ky është transformimi i Lorela Nikollajt, estetistes që vendosi të ndryshojë jetën e saj, duke nisur një rrugëtim të vështirë drejt një peshe më të shëndetshme.
Gjithçka nisi pas disa situatave familjare, që ndikuan në shtimin e kilogramëve të parë. E shqetësuar për gjendjen e saj, Lorela kërkoi zgjidhje dhe nisi të ndiqte disa rregulla ushqimore, pas një testi për intolerancën ushqimore.
Rezultatet e para i dhanë shpresë: arriti të humbiste 15 kilogramë dhe të ndihej më mirë me veten. Por rrugëtimi nuk ishte i lehtë. Një sfidë shëndetësore dhe dy ndërhyrje kirurgjikale në kokë u shoqëruan me shtim të ndjeshëm në peshë, duke e çuar në një pikë ku as gjumi dhe as frymëmarrja nuk ishin më të lehta.
Pikërisht atëherë, Lorela vendosi të rimerrte kontrollin e jetës së saj. Me disiplinë në ushqyerje, orare të përcaktuara të vakteve, ecje dhe aktivitet fizik, ajo nisi të ndërtonte zakone të reja.
Agjërimi me intervale, i njohur si fasting, u bë pjesë e rutinës së saj, ndërsa ndryshimet në mënyrën e të ushqyerit kërkuan vullnet dhe këmbëngulje.
Humbja e 103 kilogramëve nuk ishte vetëm një transformim fizik, por edhe një ndryshim në mënyrën si ajo e shihte veten dhe jetën. Sot, historia e Lorela Nikollajt është një rrëfim për sfidat, sakrificat dhe vendosmërinë për të mos u dorëzuar, edhe kur rruga drejt ndryshimit duket e gjatë dhe e vështirë./abcnews.al


