Policia sekuestron armët e zjarrit, municion luftarak dhe një shumë prej 32 500 eurosh gjatë operacionit “Baza” në Xhafzotaj. Në pranga Arlind Isaj.
Një 32-vjeçar është arrestuar nga Policia e Shijakut, pasi gjatë kontrollit në banesën e tij në fshatin Koxhas-Kodër, në Xhafzotaj, u gjetën dy armë zjarri automatike, municion luftarak dhe 32 500 euro.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Baza”, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Shijak organizuan kontrolle pas informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas mbante armë zjarri pa leje.
Gjatë kontrollit në banesën e Arlind Isajt, 32 vjeç, banues në Shijak, uniformat blu gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: dy armë zjarri automatike; dy krehra me nga 10 fishekë secili; një shumë prej 32 500 eurosh.
Në përfundim të veprimeve procedurale, 32-vjeçari u arrestua në flagrancë, i dyshuar për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës për veprime të mëtejshme.
Hetimet për rastin vijojnë.


