Kryeministri Edi Rama ka prezantuar reformën për administratën publike Shqipëria 2030, duke vënë theksin te përzgjedhja dhe avancimi i nëpunësve bazuar në meritë.
Gjatë prezantimit, Rama evidentoi si problem mungesën e dallimit në vlerësim mes punonjësve që angazhohen dhe atyre që nuk përmbushin detyrat. Ai theksoi se reforma synon të vendosë meritokracinë në themel të administratës, duke rritur konkurrencën dhe duke garantuar vlerësimin e punonjësve për performancën e tyre.
“Përtej përmirësimeve dhe rritjes së konsiderueshme të pagave, ajo çka mbetet shumë serioze, është që shumica dërrmuese e nëpunësve thonë që ‘se punon se s’punon kjo duket sikur nuk ka rëndësi për atë që vlerësohesh e të rritesh në karrierë’. Ajo që e bën më negative është që nuk ka pasoja negative për ata që nuk punojnë.
Ndërkohë që pjesa më e vogël mbajnë një pjesë shumë të madhe dhe nuk shohin dallim për mënyrën se si vlerësohen”, tha kryeministri Rama. Përzgjedhja e nëpunësve do të bëhet sipas meritës.
Ky është një detyrim që ne e kemi parësor sot, që duke motivuar njerëzit përmes meritës dhe duke e bërë element bazë brenda administratës për të rritur konkurrencën dhe të garancive që do të vlerësohesh për atë që je, ne mund të bëjmë sot atë kapërcim që dje dukej krejt i pamundur për t’i kaluar, por sot do të bëhet realitet”, tha Rama.


