Çështja e emrit, Zaev e Tsipras dakord për hapat e parë

schedule22:32 - 24 Janar, 2018

schedule 22:32 - 24 Janar, 2018

Kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras kanë rënë dakord për hapat që duhet të ndiqen për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi emrin. Duket se do jetë Maqedonia, ajo që do të bëjë lëshime, ndërsa Greqia do të ofrojë mbështetje për integrimin europian të fqinjit të saj.

Kryeministrat Zoran Zaev dhe Aleksis Tsipras, të cilët u takuan këtë të mërkurë në Davos, kanë gjetur gjuhën e përbashkët për hapat që duhen ndërmarrë për zgjidhjen e çështjes së emrit të Maqedonisë. Më tepër do të jetë pala maqedonase, që siç ka thënë kryeministri Zaev, do të bëjë një sërë lëshimesh për të treguar se ekziston vullneti i mirë për tejkalimin e ngërçit që ka bllokuar proceset e integrimit të ish-republikës jugosllave.

Konkretisht, Zaev ka paralajmëruar se do të ndryshojë emrin e aeroportit të Shkupit, “Aleksandri i Madh”, si dhe atë të autostradës. Kjo e fundit, sipas tij do të quhet “Miqësia”, si dëshmi se Shkupi nuk ka asnjë pretendim territorial ndaj fqinjit të tij.

Nga ana e tij, Tsipras ka nënvizuar se, Greqia do të mbështesë menjëherë anëtarësimin e Maqedonisë në Nismën Adriatiko-Joniane, si dhe kalimin në nivelin e dytë të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, e bllokuar që prej vitit 2009. Për Tsipras, duhet medoemos të zgjidhen çështjet e hapura, me qëllim që vendi fqinj të realizojë ambiciet e tij europiane.

Ndërkohë, krerët e dy qeverive kanë vendosur të intensifikojnë negociatat për kontestin mes dy vendeve. Kështu, në tryezën e ndërmjetësuar nga i dërguari i OKB-së Mattheë Nimetz do të ulen ministrat e Jashtëm të dy vendeve, Kotzias dhe Dimitrov./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!