Kina sjell në jetë majmunët e parë të klonuar

schedule22:44 - 24 Janar, 2018

schedule 22:44 - 24 Janar, 2018

Kanë lindur në Kinë dy majmunët e parë të klonuar në botë. Për shkencëtarët, kjo përbën një arritje të madhe, pasi do të shërbejë si model për studimin e sëmundjeve gjenetike tek njeriu. Ndërkohë, kritikët kanë reaguar me skepticizëm.

Një laborator shkencor në Kinë ka sjellë në jetë dy majmunët e parë të klonuar, përmes teknikës së përdorur në rastin e deles Dolly. Lajmi është bërë i ditur nga revista “Cell”, e cila i referohet Akademisë Kineze të Shkencave, me seli në Shangai. Majmunët, të llojit me bisht të gjatë, janë identikë dhe quhen Zhong Zhong dhe Hua Hua.
Shkencëtarët thonë se popullësitë e majmunëve, që janë gjenetikisht identikë do të jenë të rëndësishme për kërkimet në fushën e sëmundjeve njerëzore.

“Majmunët e klonuar do të shërbejnë si model për të studiuar sëmundjet me bazë gjenetike, përfshirë ato që kanë të bëjnë me kancerin, metabolizmin dhe çrregullimet imunitare”, ka deklaruar doktor Qiang Sun, nga Instituti kinez i Neuro-shkencave.

Nga ana tjetër, kritikët insistojnë se kjo taktikë ngre shqetësimin etik se bota po i afrohet klonimit të njerëzve. Por për The Sun, ky model shtesë do të ndihmojë për t’i dhënë përgjigje shumë pyetjeve që ngrihen mbi biologjinë primate. Zhong Zhong lindi 8 javë më parë dhe mori emrin që përdoret për të identifikuar kombin ose popullin kinez. Ndërsa Hua Hua lindi 6 javë më parë. Studiuesit thonë se majmunët aktualisht po ushqehen me bibiron dhe po rriten normalisht, ndërsa shtojnë se të tjerë do të lindin në muajt e ardhshëm./abcnews.al