Nuk ishte një përballje luksi, por për ne pati shumë rëndësi.
Tifozët shqiptarë, e padyshim edhe yjet kuqezinj e stafi I tyre teknik, e kishin një sy apo një vesh edhe në stadiumin e Budapestit, ku Bjellorusia luante ndaj Finlandës në të njëjtin orar kur kombëtarja jonë pati përballë San Marinon.
Bjellorusët ia dolën 1-0, duke ndihmuar veten e tyre në radhë të parë, por edhe Shqipërinë, që falë këtij rezultati doli në vend të parë në grup.
Gjithçka u vendos nga goli I shënuar nga Artjom Shumanski që në minutën e parë, dhe bjellorusët ia dolën që të rezistonin deri në fund.
Finlanda, që pak ditë më parë fitoi në mënyrë të pamerituar ndaj kuqezinjve 2-1 në Helsinki, pati 72 për qind mbajtje topi, pati epërsi të madhe, edhe pse jo edhe aq në gjuajtjet në portë që ishin 3-3.
Gjithsesi, ndeshja ishte një duel mes sulmit nordik dhe mbrojtjes ish-sovjetike, dhe kjo e fundit doli fituese.
Me këtë fitore, Bjellorusia u ngjit në vendin e dytë në grup me 7 pikë, po aq sa Finlanda, dhe dy më pak se Shqipëria.
Në një farë mënyre e ka në dorë fatin e vet, nëse fiton ndaj San Marinos dhe kombëtares sonë.


