Drejtori i përgjithshëm i korporatës OpenAI, Sam Altman, ka deklaruar se shoqëria duhet të pranojë disa pasoja të dëmshme nga inteligjenca artificiale në këmbim të përfitimeve që ajo sjell, duke bërë dallimin mes qasjes së kompanisë së tij ndaj sigurisë së inteligjencës artificiale dhe asaj të kompanisë rivale Anthropic.
“Ne besojmë se bota duhet të pranojë që të ndodhin disa gjëra të këqija, në këmbim të përfitimeve që sjell kjo teknologji dhe mundësisë që njerëzit të kenë kontroll mbi vendimet e tyre”, tha Altman në një intervistë për revistën Politico.
Komentet e tij vijnë në një kohë kur po shtohen thirrjet për ngadalësimin e zhvillimit të sistemeve gjithnjë e më të fuqishme të inteligjencës artificiale, pas një sërë incidentesh të sigurisë që përfshijnë modele të avancuara.
Muajin e kaluar, drejtori i përgjithshëm i kompanisë Anthropic, Dario Amodei, bëri thirrje që kompanitë e inteligjencës artificiale të ngadalësojnë qëllimisht përmirësimin e aftësive të modeleve, në mënyrë që zhvilluesit dhe vlerësuesit e pavarur të kenë më shumë kohë për të trajtuar rreziqet në zhvillim.
“Duhet të ngadalësojmë ritmin me të cilin përmirësojmë aftësitë e modeleve të inteligjencës artificiale. Përparimi do të duket ende i shpejtë dhe duhet ta përdorim me mençuri kohën që fitojmë”, shkroi Amodei në një ese të publikuar më 12 shtator.
Në atë kohë, Altman mbështeti disa pjesë të propozimit të Amodeit, duke u shprehur: “Jam dakord me Darion se duhet të vendosim një ritëm për zhvillimin në kufijtë më të avancuar të teknologjisë”.
“Kompromis i papranueshëm”
Megjithatë, në intervistën për Politico, ai vendosi një kufi për atë se deri ku duhet të shkojnë kufizimet, duke argumentuar kundër përqendrimit të kontrollit mbi inteligjencën artificiale gjithnjë e më të fuqishme në duart e një numri të vogël zhvilluesish.
“Nuk jam dakord, por e kuptoj perspektivën e njerëzve që thonë ‘kjo teknologji do të bëhet kaq e fuqishme dhe është kaq e rrezikshme, saqë vetëm një laborator në San Francisko duhet ta ketë dhe të sigurohet që të mos ndodhë asgjë e keqe, dhe në njëfarë mënyre të vendosë se si të shpërndahen përfitimet’ ”, tha Altman.
Ai e cilësoi këtë qasje si “një kompromis krejtësisht të papranueshëm”, duke favorizuar në vend të saj një qasje më të lehtë rregullatore dhe qasje më të gjerë në teknologjitë e inteligjencën artificiale.
Debati është intensifikuar pas incidenteve në të cilat sistemet e avancuara të inteligjencës artificiale kanë shfaqur sjellje të papritura ose potencialisht të rrezikshme, duke ngritur shqetësime nëse masat e sigurisë po ecin me të njëjtin ritëm me përmirësimin e shpejtë të aftësive të këtyre sistemeve.
“Unë nuk do të pranoja një marrëveshje të tillë duke thënë do të sigurohemi që të mos ketë hakime të mëdha, të mos ketë keqpërdorim të kësaj teknologjie, të mos ketë mashtrime dhe të mos ketë asnjë nga gjërat e tjera të këqija që do të ndodhin”, tha Altman.
“Sepse mendoj se njerëzit do të bëjnë jashtëzakonisht, shumëfish më tepër, gjëra të mira sesa gjëra të këqija”, shtoi ai.
Shefi i OpenAI-së gjithashtu tha më vonë se ai nuk pranon “rreziqet vërtet katastrofike”, përfshirë mundësinë e “një humbjeje serioze të kontrollit ndaj inteligjencës artificiale”.


