Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës nis vitin e ri akademik me rreth 1,800 studentë të rinj, rreth 100 më shumë se vitin e kaluar, ndërsa në total numëron rreth 17,500 studentë në të gjitha ciklet.
Degët më të kërkuara janë Administrim Biznesi dhe Financë-Kontabilitet, me studentët gjithnjë e më të orientuar drejt programeve që lidhen me tregun e punës dhe mundësitë e punësimit.
Ndër risitë e këtij viti janë rreth 67 studentë të huaj, zgjerimi i programeve me diploma duale në mbi 20 programe, si dhe programi profesional dyvjeçar “Guidë Turistike”.
Është inauguruar gjithashtu Godina e Re e Fakultetit të Studimeve Profesionale, me 26 auditorë, 21 laboratorë, bibliotekë, ambiente sportive dhe hapësira të tjera studentore. Universiteti po zgjeron edhe infrastrukturën sportive dhe këndet studentore, ndërsa vijon projekti i Kampusit të Ri Universitar.
Sfidat kryesore mbeten akomodimi dhe transporti i studentëve, veçanërisht nga Tirana drejt Spitallës. Një nga synimet është krijimi i një linje direkte Tiranë–UAMD, krahas përmirësimit të programeve, infrastrukturës, praktikave profesionale dhe bashkëpunimit me tregun e punës.


